Hoffenheimi “blindon” dy yjet kosovarë

Klubi gjerman TSG Hoffenheim ka siguruar të ardhmen e dy futbollistëve kosovarë, duke arritur marrëveshje të reja afatgjata me Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari.

Mesfushori Leon Avdullahu ka rinovuar kontratën e tij deri në vitin 2031. Marrëveshja e re përfshin rritje page dhe nuk përmban klauzolë largimi, një sinjal i qartë i besimit që klubi ka ndaj tij.

Sipas “Sky Sport”, interesim për Avdullahun kanë shfaqur edhe klube të mëdha evropiane si Atletico Madrid dhe Atalanta, të cilat po e monitorojnë nga afër zhvillimin e tij, por duket se lojtari ka vendosur të vazhdojë karrierën te klubi gjerman.

Ndërkohë, edhe mbrojtësi Albian Hajdari ka firmosur kontratë të re me Hoffenheimin deri në vitin 2031. Edhe në rastin e tij, marrëveshja përfshin përmirësim financiar dhe mungesë të klauzolës së largimit, duke e bërë të qartë se klubi synon ta mbajë për një periudhë të gjatë.

Rinovimet e dy lojtarëve konsiderohen si një hap strategjik i Hoffenheimit për të ndërtuar të ardhmen mbi talentët e rinjë, ndërsa Avdullahu dhe Hajdari po vazhdojnë të konsolidojnë pozitën e tyre si ndër emrat premtues të futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.