Konfiskimi i pasurisë në fokus, Kuvendi shqyrton projektligjin e ri

Në Kuvendin e Kosovës po shqyrtohet në lexim të parë Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, i cili sipas ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka peshë të madhe për drejtësinë dhe rrugën evropiane të Kosovës.

Në paraqitjen e projektligjit, Gërvalla tha se ai e thotë qartë se “funksioni publik nuk mund të jetë mburojë për pasurim të pajustifikueshëm”.

“Është një projektligj që e bën të qartë se në Kosovë, atëherë kur ushtron funksion publik askush nuk mund të jetë mbi detyrimin për ta justifikuar, arsyetuar pasurinë e vet. Ky projektligj është mesazh i qartë dhe shumë i pritur nga qytetarët se shteti nuk mjaftohet me deklarime kundër korrupsionit, por ndërton mekanizma realë, funksionalë për ta luftuar atë”, tha ajo.

Gërvalla kujtoi se hapat e parë për këtë ligj u ndërmorën më 2021 dhe projektligji ka kaluar në tri opinione të Komisionit të Venedikut dhe dy shqyrtimeve nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“As Komisioni i Venedikut, as Kushtetuesja nuk e kanë kundërshtuar konceptin e konfiskimit civil si instrument juridik”, tha Gërvalla, duke shtuar se rekomandimet janë përfshirë në projektligj.

“Procedurat nuk nisi arbitrarisht”, theksoi Gërvalla. “Ato iniciohen në bazë të informacioneve kredibile”.

Sipas saj, Byroja nuk konfiskon, gjykon apo zëvendëson gjykatat.

“Byroja mbledh, verifikon dhe analizon informacionin. Vendimi për konfiskim merret nga gjykata. Pra, një mekanizëm kushtetues, i balancuar dhe në harmoni me parimet e shtetit ligjor”, tha ajo.

Po ashtu, Gërvalla i cilësoi si “propagandë” informacionet se projektligji synon qytetarët e zakonshëm, duke theksuar se cak janë zyrtarët publikë që kanë pasuri të pajustifikuar.

Në fund të marsit, Qeveria e Kosovës e miratoi projektligjin dhe e procedoi në Kuvend për miratim në dy lexime.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët e ka cilësuar këtë projektligj si një nga prioritetet e ekzekutivit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia kishte rrëzuar qeverisë “Kurti” dy herë Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së pari më 2024 dhe pastaj në fillim të këtij viti.

Ky ligj synon që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ka kishte dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Gjykata më e lartë në Kosovë në vendimin e janarit se e shfuqizoi Ligjin për Byronë sepse ai u miratua me “shkelje të rënda procedurale dhe kushtetuese”.

Sipas saj, Kuvendi e përdori në mënyrë të pajustifikuar shmangien nga afatet procedurale, duke mos u dhënë deputetëve dhe komisioneve kohë për shqyrtim, debat dhe amendamente, në kundërshtim me nenet 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës.