Arrestohet një i dyshuar për vrasje të rëndë në Prishtinë, në kërkim ishte prej kohësh

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar të pandehurin me inicialet M.G., i cili ishte në kërkim nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas njoftimit, pas një pune intensive hetimore, i dyshuari është lokalizuar dhe ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Gjatë aksionit janë sekuestruar dy armë, substanca narkotike, si dhe dokumente të falsifikuara që dyshohet se i ka përdorur gjatë arratisë për t’iu shmangur identifikimit.

Në kuadër të të njëjtit operacion është arrestuar edhe një person tjetër, i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale”, sipas Nenit 380 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i shtetit ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë dhe se do të shqyrtohet mundësia e kërkimit të masave për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale.

Autoritetet kanë theksuar se do të vazhdojnë angazhimin për vënien para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë në vepra penale. /Zëri