Çështja e presidentit, Konjufca: Varet nga vullneti i opozitës, LVV-ja nuk insiston për emrin

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka treguar që negociatat për zgjedhjen e presidentit po vazhdojnë dhe zgjidhja, sipas tij, do të varet nga vullneti i opozitës.

“Bisedat po vazhdojnë mes kryeministrit dhe partive politike. Ka takuar kreun e LDK-së, një ftesë ia ka dërguar edhe PDK-së. Ata kanë kërkuar disa sqarime shtesë, të cilat me siguri që kryeministri do t’u përgjigjet shpejt. Ka përpjekje për të shkuar në një marrëveshje”, tha Konjufca.

Ai tha se opozita duhet të tregojë se çfarë kërkon.

“Vetëvendosja nuk insiston patjetër që të ketë emrin e saj në zgjedhjen e presidentit. Nëse nuk ka pasur vullnet, është vërtetuar në seancë ku nuk kanë ardhur. Kjo tregon se ata kërkojnë diçka tjetër, por mirë është të na e thonë se çfarë kërkojnë”, shtoi Konjufca. /A2cnn