Aktakuzë ndaj një personi për vrasjen e vëllait me thikë në veri të Mitrovicës

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurit E.J., për shkak të dyshimit të bazuar mirë për kryerjen e veprave penale “Vrasja e rëndë“ nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 të KPRK, dhe “Mbajtja në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK.

Prokuroria përmes njoftimit ka bërë të ditur se, me datën 05 nëntor 2023 në banesën e tij në Mitrovicë – veri, i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta viktimën – vëllain e tij E.J, raporton Zeri.info.

“Pas një fjalosje të çastit, e sulmon viktimën me thikë të kuzhinës, me gjatësi tehu 12 cm, dhe e godet pesë herë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar plagë prerëse e shpuese, dhe si pasojë e lëndimeve të marra ku më pas viktima vdes në spitalin e Mitrovicës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se i pandehuri, në shtëpinë e tij në Mitrovicë – veri, pa autorizim ka poseduar

pistoletën e markës Kolt (Rohm rg 69) , 9 mm, prodhim gjerman.

“Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë. Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin t`a shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit”, thuhet në njoftim. /Zëri