Haradinaj, jo në Speciale

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, njëherësh ish-kryeministër i vendit, i cili u arrestua në Francë më 4 janar, nuk do të ekstradohet në Gjykatën Speciale, ashtu si deklaroi ditë më parë udhëheqësi i Prokurorisë Speciale për Krime Lufte në Serbi.

Kështu ka thënë për “Zërin” Arianit Koci, avokat i Haradinajt, i cili ka vlerësuar se Serbia është duke e zvarritur procesin, megjithatë siç ka thënë ai, shumë shpejt pritet që i pari i AAK-së të kthehet në Kosovë.

Nga ana tjetër, përfaqësues të këtij subjekti kanë vlerësuar se Serbia pa kurrfarë fakti po i stërzgjat procedurat qëllimisht, që ta dëmtojë ish-kryeministrin në fjalë.

Milan Petroviq, kreu i Prokurorisë për Krime të Luftës në Serbi, tha para pak ditësh se ka gjasa që Haradinaj të ekstradohet në Gjykatën Speciale. Petroviq tha për “Deutsche Welle”-n se një mundësi e tillë ekziston sado që kjo gjë nuk është përmendur në publik.

Kurse Arianit Koci, avokat i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se deklarata e Milan Petroviqit, udhëheqësit të Prokurorisë Speciale për Krime Lufte në Serbi, se Haradinaj do të ekstradohet në Gjykatën Speciale nuk është e vërtetë.

“Ai për ‘Deutsche Welle’-n ka deklaruar se z. Haradinaj mund t’i dorëzohet Gjykatës Speciale të posaformuar dhe se, sipas tij, po parafrazoj, ky opsion është i mundshëm dhe çdoherë po përmendet më shumë. Kjo natyrisht nuk është e vërtetë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas tij, aktualisht është duke u përdorur një diskurs spekulativ për ta mbuluar natyrën politike të kërkesës së Serbisë.

Koci më tej ka thënë se vetë Avis Benes, zëdhënësja e Dhomave të Posaçme të Gjykatës Speciale, ka thënë se ndalimi i liderit të AAK-së nuk është kryer në kuadër të mandatit të Dhomave Speciale të Kosovës.

Edhe Haradinaj është deklaruar se së shpejti do të kthehet në Kosovë porse, sipas tij, Serbia është duke e zvarritur procesin në fjalë.

Nga ana tjetër shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se qëllimisht po zgjaten procedurat ndaj liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt.

“Parespektueshëm po zgjaten procedurat. Serbia e di që nuk ka çka të tregojë të re, prandaj po bën qëllimshëm që të zgjaten ditët e qëndrimit të liderit Haradinaj në Francë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Serbia është kundër Haradinajt, pasi që ai nuk ka bërë asnjëherë kompromise në kurriz të Kosovës.

“Ne presim që shumë shpejt ta kuptojnë të gjithë se Serbia është kundër Haradinajt vetëm pse është njeriu që nuk ka bërë asnjëherë kompromise në kurriz të Kosovës dhe prandaj e lufton me të gjitha metodat e mundshme për ta ndaluar e izoluar”, ka shtuar ai.

Ndërkaq kryetarja e Grupit Parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Dushica-Bajrami, ka vlerësuar se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjendet në Francë si rezultat i marrëveshjeve të Brukselit.