Seanca e parë gjyqësore ndaj Fatmir Shehollit më 7 shtator
Burime brenda prokurorisë kanë bërë të ditur për RTK-në se seanca e parë gjyqësore ndaj Fatmir Shehollit do të mbahet më 7 shtator, në orën 09:30.
Sheholli po përballet me aktakuzë për shpiunazh dhe shantazh nga Prokuroria Speciale.
Sipas aktakuzës, ai dyshohet se ka bashkëpunuar me Shërbimin Informativ dhe të Sigurisë së Serbisë (BIA), ndërsa në një rast tjetër akuzohet për shantazh ndaj një biznesmeni.
Sipas aktakuzës, nga një periudhë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, Fatmir Sheholli dyshohet se ka vepruar si person i rekrutuar nga BIA dhe sipas udhëzimeve të një zyrtari të lartë të këtij shërbimi, Bojan Dimiç.
Në dosje thuhet se Dimiç ishte drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në kuadër të BIA-s.
Prokuroria pretendon se Sheholli ka mbledhur dhe përcjellë informacione dhe dokumente lidhur me zhvillimet politike, situatën e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve në Kosovë.
Sipas aktakuzës, komunikimi me zyrtarin e BIA-s është zhvilluar edhe përmes mesazheve telefonike.
Prokuroria Speciale në aktakuzën e ngritur ndaj Fatmir Shehollit ka përfshirë edhe një sërë paraqitjesh publike dhe deklarimesh të tij lidhur me Milan Radoiçiqin.
Sipas aktakuzës, në disa paraqitje publike Sheholli kishte shprehur besim në pafajësinë e Milan Radoiçiqit lidhur me hetimet për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Në materialin e përfshirë në aktakuzë thuhet se Sheholli kishte deklaruar se Radoiçiqit duhej t’i jepej mundësia për ta dëshmuar pafajësinë e tij.
Po ashtu, Prokuroria i referohet paraqitjeve të tjera mediale të Shehollit, në të cilat, sipas saj, ai e kishte paraqitur Radoiçiqin si një person me ndikim pozitiv në veriun e Kosovës.
Këto deklarime janë përfshirë në raportin e Policisë së Kosovës, të cilin Prokuroria e ka paraqitur si pjesë të provave në aktakuzën për spiunazh.
Në aktakuzë përmendet gjithashtu një paraqitje televizive e vitit 2023, ku Sheholli kishte zhvilluar një bisedë telefonike të transmetuar drejtpërdrejt me një person të identifikuar në material si Milan Radoiçiq.
Sipas Prokurorisë, telefonata ishte transmetuar më 11 qershor 2023 në emisionin “Kojshia Show”.
Një pjesë e aktakuzës lidhet me zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Sipas Prokurorisë, më 26 shtator 2025, Sheholli kishte udhëtuar në Mitrovicën e Veriut, ku, në parkingun e Shkollës Teknike, dyshohet se kishte pranuar nga një person i paidentifikuar një dosje me audio-incizime dhe transkripte.
Në aktakuzë pretendohet se materialet kishin për qëllim komprometimin e zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, përfshirë kabinetin e ministrit Nenad Rashiq.
Prokuroria pretendon se, bashkë me materialet, Sheholli kishte pranuar edhe 5 mijë euro. Sipas dosjes, më pas ai ia kishte dorëzuar materialet gazetarit Milaim Zeka, bashkë me 1 mijë euro dhe premtimin për 1 mijë euro të tjera, duke e udhëzuar që materialet t’i publikonte në emisionin “Pa Rrotlla”, pak ditë para zgjedhjeve lokale.
Prokuroria pretendon se qëllimi ishte ndikimi në procesin zgjedhor dhe dëmtimi i interesave të Republikës së Kosovës.
Në aktakuzë thuhet gjithashtu se Sheholli i kishte thënë gazetarit se materialet buronin nga “GIZ-i gjerman”.
Sipas aktakuzës, gjatë hetimeve dhe bastisjeve të kryera në rastin e Shehollit janë sekuestruar materiale dhe janë evidentuar komunikime që Prokuroria i konsideron relevante për rastin.
Në telefonin e Shehollit, sipas dosjes, janë gjetur komunikime me persona që Prokuroria i identifikon si zyrtarë të BIA-s.
Në aktakuzë thuhet se numri i Bojan Dimiçit ishte ruajtur në telefon me emra të ndryshëm, përfshirë “Gizi”, “Bojana” dhe “Gazetari”.
Prokuroria përmend gjithashtu dokumente me shënimin “Top secret 2”, të cilat, sipas saj, lidhen me plane që synonin destabilizimin.
Në dosje përmendet edhe një dokument i RDB-së serbe nga viti 2001, me nofkën “Leptiri”, që, sipas Prokurorisë, lidhet me përpjekjet për komprometimin e Albin Kurtit gjatë kohës kur ai ishte në burg në Nish.
Po ashtu, në aktakuzë përmenden edhe shënime të shkruara me dorë, të cilat Prokuroria i konsideron si të dhëna operative.
Aktakuza përmend edhe transaksione financiare që, sipas Prokurorisë, janë evidentuar në llogarinë bankare të Shehollit.
Në dosje thuhet se gjatë vitit 2015 janë evidentuar pagesa nga institucione serbe, përfshirë “Tanjug” dhe “Kancelarija za KiM”, në llogarinë e tij në Komercijalna Banka.
Këto të dhëna janë paraqitur nga Prokuroria si pjesë e materialit provues të çështjes.
Përveç akuzës për spiunazh, Prokuroria e akuzon Shehollin edhe për shantazh.
Sipas aktakuzës, nga viti 2022 deri në dhjetor të vitit 2025, ai dyshohet se ka shantazhuar biznesmenin Arben Jetullahu, duke e kërcënuar me publikimin e video-incizimeve dhe materialeve që, sipas pretendimit të Prokurorisë, mund t’i dëmtonin reputacionin.
Prokuroria pretendon se përmes këtyre kërcënimeve Sheholli e kishte detyruar të dëmtuarin t’i jepte mbi 13 mijë euro.
Në aktakuzë thuhet se kërkesat për para kanë vazhduar edhe gjatë kohës kur Sheholli ishte në paraburgim në Gjilan.
Sipas Prokurorisë, përmes djalit të tij dhe personave ndërmjetësues, ai kishte kërkuar pagesa mujore prej 700 eurosh, duke e shoqëruar kërkesën me kërcënimin për publikimin e videove.
Në aktakuzën e dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Prokuroria Speciale kërkon që Fatmir Sheholli të shpallet fajtor për veprat penale për të cilat akuzohet.
Prokuroria gjithashtu ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tij, si dhe konfiskimin e mjeteve monetare dhe pasurisë së sekuestruar, në përputhje me kërkesat e paraqitura në aktakuzë.