U kthye nga Franca për të luftuar në Kosovë, Qeveria nuk i jep certifikatë (VIDEO)

E kishte lënë Francën për t’iu bashkangjitur UÇK-së, ndërsa 17 vjet pas çlirimit të Kosovës nuk i njihet as statusi i veteranit.

Gani Bajrami tash e 40 vjet jeton në Francë, mirëpo ai kishte ardhur nga Franca në kohën e luftës në Kosovë për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si pjesëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, ndërsa tani kur ai ka ardhur për të marrë certifikatën me të cilën vërtetohet se ai është veteran i luftës, Qeveria e Kosovës nuk po ia lëshon një të tillë.

Bajrami ka ardhur nga Franca dhe është drejtuar në Qeveri për të marrë këtë certifikatë, por tashmë dy muaj Komisioni Qeveritar për Veteranë nuk është duke punuar, të paktën kështu i është thënë atij.

Ai është shprehur i shqetësuar nga ky akt i Qeveris derisa thotë se “kemi kontribuuar për Kosovën e popullin tonë, mirëpo tash Qeveria nuk dëshiron të na njohë”.

Në anën tjetër, gazeta “Zëri” ka provuar të kontaktojë me Komisionin për Veteranë në Qeverinë e Kosovës, mirëpo kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Po ashtu gazeta “Zëri” ka kontaktuar edhe me sekretarin e OVL-së Faton Klinakun, për të pyetur rreth kësaj çështjeje, por ai ka thënë se nuk është në dijeni se pse Komisioni Qeveritar për Veteranë nuk është duke punuar.