Konjufca kërkon nga BE-ja hapa konkretë për anëtarësimin e Kosovës

Konjufca kërkon nga BE-ja hapa konkretë për anëtarësimin e Kosovës

Aktuale November 23, 2026 - 14:41

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të ndërmarrë hapa konkretë për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE.

Në takimin ministror të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar në Athinë nga ministri i Jashtëm i Greqisë, George Gerapetritis, Konjufca ka theksuar se procesi i zgjerimit duhet të bazohet në merita dhe reformat e realizuara nga secili vend.

Ai ka rikujtuar se kanë kaluar gati katër vjet nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, duke bërë thirrje që Këshilli i BE-së t'i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e Opinionit për aplikimin e Kosovës.

Konjufca ka vënë në pah përparimin e Kosovës në reformat demokratike, përputhjen e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si dhe gatishmërinë për të kontribuar në misionet dhe operacionet e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, përkushtimi i Kosovës ndaj integrimit evropian duhet të përcillet tash me hapa konkretë nga BE-ja, duke i mundësuar vendit të përparojë në procesin e anëtarësimit, njësoj si shtetet e tjera të rajonit.