Kurti paralajmëron ligj të ri për Specialen, që nuk anulohet dhe ka efekt në praktikë
Foto: Laura Hasani

Kurti paralajmëron ligj të ri për Specialen, që nuk anulohet dhe ka efekt në praktikë

Aktuale November 19, 2026 - 13:43

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar hartimin e një ligji të ri për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke thënë se synimi është që ai të mos anulohet, por të ketë efekt konkret në praktikë.

Duke folur në seancën e Kuvendit, Kurti tha se qëndrimi i tij ndaj Gjykatës Speciale nuk ka ndryshuar që nga pranvera e vitit 2015.

Ai e cilësoi këtë gjykatë si të pazakonshme, monoetnike dhe me mungesë transparence, duke thënë se ajo herë sillet si gjykatë vendore e herë si tribunal ndërkombëtar.

Kurti foli edhe për aktgjykimin e 16 shtatorit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Ai tha se pakënaqësia me këtë vendim nxiti edhe hartimin e shpejtë të ligjit të propozuar më parë, për të cilin, sipas tij, kishte shprehur rezerva.

“Dhe rezultoi me një dënim shumë të lartë prej 81 vjetësh burgim për katër ish-krerët e UÇK-së. [...] Nga pakënaqësia lidhur me atë aktgjykim erdhi edhe shkrimi i shpejtë i atij ligji, për të cilin ne patëm shprehur rezervat tona. Nuk dyshoj në qëllimin e mirë, por nuk mjafton. Duhet të kemi sukses, duhet të dalim fitimtarë. Na duhet një ligj që nuk kthehet mbrapsht, nuk anulohet, por një ligj që ka efekt në praktikë”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se në procedurën e apelit duhet të trajtohet edhe çështja e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, për të cilën tha se krijon iluzionin e një strukture paralele me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

Kurti u shpreh i bindur se aktgjykimi i shkallës së parë do të korrigjohet në Apel, në vitin 2027.

Ndërkaq, ai bëri të ditur se drafti i parë i Strategjisë pritet të prezantohet javën e ardhshme nga Grupi Punues, ku janë të përfaqësuara institucionet relevante dhe partitë politike.

Sipas Kurtit, ekspertë juridikë janë angazhuar për ta ndihmuar këtë grup, ndërsa paralelisht pritet që javën e ardhshme të dorëzohet edhe drafti i ri i ligjit për Dhomat e Specializuara. /Zëri