RRGK-ja publikon raportin për kostot e shërbimeve ndaj viktimave të dhunës, kërkohet financim i qëndrueshëm

RRGK-ja publikon raportin për kostot e shërbimeve ndaj viktimave të dhunës, kërkohet financim i qëndrueshëm

Aktuale November 19, 2026 - 11:26

Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) ka lansuar raportin me temën “Me çfarë çmimi? Vlerësimi i kostove të shërbimeve të specializuara për adresimin e dhunës me bazë gjinore”.

Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Nicole Farnsworth, tha se femicidi dhe vrasja e grave vazhdojnë të mbeten fenomene jashtëzakonisht serioze, duke theksuar se faktorët që mundësojnë dhunën janë sistemikë dhe lidhen me dështimet e shoqërisë dhe institucioneve.

Ajo tha se për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e grave është e nevojshme të përmirësohen sistemet shoqërore, institucionale dhe buxhetore që mundësojnë vazhdimin e saj.

“Femicidi, vrasja e grave, vazhdon të mbetet një fenomen jashtëzakonisht serioz. Çdo grua është e ndjeshme dhe duhet të mbrohet duke e bazuar në situatën dhe nevojat e saj specifike. Por faktorët që e mundësojnë dhunën nuk janë unikë. Ata janë sistemikë. Bëhet fjalë për dështimet sistematike të shoqërisë dhe institucioneve tona. Normat gjinore të përforcuara përmes socializimit, të cilët përcaktojnë se si duhet të sillen gratë dhe burrat, si dhe marrëdhëniet e pushtetit ndërmjet tyre, të ndikuar nga parët dhe pozitat në familje e shoqëri, krijojnë një mjedis që mundëson ushtrimin e dhunës”, ka thënë ajo.

Image

“Për ta parandaluar dhunën dhe për të mbrojtur gratë, duhet t’i përmirësojmë sistemet shoqërore, institucionale dhe buxhetore që e mundësojnë vazhdimin e saj. Që nga viti 2000, Rrjeti i Grave të Kosovës, së bashku me anëtarët dhe partnerët tanë, shumë prej jush jeni këtu sot, kemi punuar për të adresuar këto dështime sistemike. Pas tetë raporteve të tjera që kemi publikuar lidhur me këtë temë, raporti që po e lansojmë sot, 'Me çfarë çmimi', tregon se në detajet e ndryshimit ligjor dhe politikave dhe në veçanti ato buxhetore që nevojiten për parandaluar dhunën dhe për të mbrojtur gratë”, tha Farnsworth.

Ndërsa, shefja e Zyrës së Agjencisë Austriake Koordinuese në Kosovë, Rita Glavitza, tha se Austria vazhdon të mbështesë barazinë gjinore, të drejtat e grave dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore në Kosovë.

Image

Ajo theksoi se përmes partneritetit me Rrjetin e Grave të Kosovës, përveç shërbimeve për të mbijetuarat e dhunës, mbështetet edhe hulumtimi dhe avokimi për sigurimin e qëndrueshmërisë së këtyre shërbimeve.

Glavitza vlerësoi se raporti vjen në një moment kritik, duke theksuar se ligjet, strategjitë dhe zotimet nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me burime financiare që garantojnë mbrojtjen dhe mbështetjen e të mbijetuarave.

“Ky raport vjen në një moment shumë kritik. Ai na rikujton se vetëm ligjet, strategjitë dhe zotimet nuk janë të mjaftueshme. Matësi i vërtetë i përkushtimit tonë është nëse të mbijetuarat e dhunës mund të kenë realisht qasje në mbrojtjen, mbështetjen dhe mundësitë për të cilat kanë nevojë, pikërisht atëherë kur u nevojiten më së shumti. E kjo, në fund të fundit, kërkon burime financiare. Gjetjet e prezantuara sot ofrojnë diçka që shpesh mungon në diskutimet për politikat publike: përgjigje të bazuara në dëshmi për një pyetje shumë të vështirë. Sa kushton realisht garantimi i mbështetjes për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore, në përputhje me detyrimet që Kosova ka marrë përsipër përmes ligjeve të saj dhe Konventës së Stambollit? Raporti tregon se investimi në strehimore, shërbime sociale, mbështetje të specializuar dhe parandalim nuk është thjesht një shpenzim buxhetor. Ai është investim në siguri, dinjitet, përfshirje sociale dhe të drejta të njeriut. Është gjithashtu investim në një shoqëri ku gratë dhe vajzat mund të jetojnë të lira nga dhuna dhe frika”, tha ajo.

Glavitza shtoi se çdo euro e investuar në parandalim ndihmon në zvogëlimin e vuajtjeve njerëzore dhe kostove publike në të ardhmen.

Në anën tjetër, drejtori i Departamentit për Politika Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Blerim Shabani, tha se në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës është punuar në një instrument të kostifikimit, i cili përcakton kostot e shërbimeve rezidenciale në strehimore për strehimin, rehabilitimin dhe trajtimin e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Sipas tij, ky instrument ndihmon institucionet që të përcaktojnë më saktë nevojat financiare dhe t’i kthejnë ato në shërbime cilësore për personat që kanë nevojë.

Image

Shabani bëri të ditur se nga viti 2020 është shënuar rritje e financimit për shërbimet sociale, nga 900 mijë euro në atë vit, në 1.5 milion euro në vitin 2023 dhe 2.5 milionë euro nga viti 2024.

“I konsultova pak numrat ndër vite si ministri e tashme e familjes, nga viti 2020 e deri më tash, ka pasur një rritje progresive. Ata që proceset mund t’i shohin me një sy edhe me kritikë edhe dhe që janë kërkues ndaj nesh, me të drejtë mund të kërkojnë që vlerat financiare aktualisht janë të vogla. Po në 2020-ën të dedikuara për financim të shërbimeve sociale kanë qenë 900.000, e në vitin 2023 është rritur kjo vlerë në 1.5 milion, e në 2024-ën e me radhë është bërë 2.5 milion. Pra, kjo vlerë prej 2.5 milionësh, e cila menaxhohet, planifikohet, menaxhohet nga ministria, dedikohet për shërbime sociale dhe familjare, jo vetëm për strehimoret, por edhe për organizata të tjera të licencuara që ofrojnë shërbim për fëmijë, për personat me aftësi të kufizuara, për të moshuarit, për familje të cenueshme dhe kategori të tjera në nevojë”, tha Shabani.

Ai theksoi se buxheti prej 2.5 milionë eurosh nuk është i dedikuar vetëm për strehimoret, por mbulon edhe organizatat e licencuara që ofrojnë shërbime për fëmijët, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit dhe kategoritë e tjera në nevojë. /EO