Haxhiu takohet me eurodeputetin kroat në Bruksel, kërkon mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në KE

Haxhiu takohet me eurodeputetin kroat në Bruksel, kërkon mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në KE

Aktuale November 18, 2026 - 20:34

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, është takuar në Bruksel me eurodeputetin kroat Davor Ivo Stier, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, si dhe për rrugën evropiane të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se miqësia ndërmjet dy vendeve është e kahershme dhe se mbështetja e Kroacisë për Kosovën është ndier edhe gjatë këtij takimi.

Ajo ka bërë të ditur se e ka falënderuar Stierin për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, fillimisht në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Kroacisë dhe tash si bashkëkryesues i Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë.

Haxhiu ka njoftuar gjithashtu se Kuvendi i Kosovës tashmë ka formuar delegacionin e tij në këtë komision dhe është i gatshëm që takimi i radhës të mbahet sa më parë.

Duke rikujtuar lidhjet historike ndërmjet dy popujve, ajo ka përmendur mbështetjen e shqiptarëve për Kroacinë gjatë luftës së saj,

“Shumë shqiptarë qëndruan përkrah Kroacisë gjatë luftës së saj, ndërsa Kroacia ishte ndër vendet e para të rajonit që e njohën pavarësinë e Kosovës. Këto lidhje i forcon edhe komuniteti i arbëneshëve të Zarës, që jeton në Kroaci prej shekujsh”, ka shkruar ajo.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Haxhiu ka theksuar se në dhjetor bëhen katër vjet nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke ritheksuar përkushtimin për përmbushjen e detyrimeve që dalin nga ky proces.

Ajo ka kërkuar gjithashtu mbështetjen e eurodeputetit kroat për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Me miq si Kroacia, rruga jonë evropiane bëhet më e lehtë”, ka përfunduar Haxhiu.