Reshjet e borës në zonat malore, kjo është gjendja e rrugëve drejt pikave kufitare
Ndryshimi i motit dhe reshjet e borës në disa zona malore kanë shtuar vëmendjen për gjendjen e rrugëve në Kosovë, veçanërisht në segmentet që kalojnë nëpër zona malore.
Sipas të dhënave të fundit për gjendjen e rrugëve që shpien në pikat e kalimit kufitar, të përditësuara më 18 nëntor, në orën 07:13, të gjitha rrugët e evidentuara janë të kalueshme.
Në raport nuk është evidentuar prani e dëborës, akullit, mjegullës apo rrëshqitjeve të dheut në asnjërën prej pikave kufitare.
Vëmendje e veçantë kërkon rruga drejt pikës kufitare në Kullë, e cila kalon nëpër zonë malore dhe gjatë dimrit shpesh përballet me vështirësi në qarkullim për shkak të reshjeve të borës dhe kushteve të vështira atmosferike.
Sipas raportit aktual, edhe aksi rrugor Pejë–Kullë është i kalueshëm dhe nuk raportohet dëborë, akull apo mjegull.
Gjendje e kalueshme paraqitet edhe në pikëkalimet e tjera: Mitrovicë–Bërnjak, Gjakovë–Qafë Morinë, Gjakovë–Qafë Prushit, Gjilan–Dheu i Bardhë, Fushë-Pajtimit–Glloboçicë, Kaçanik–Hani i Elezit, Mitrovicë–Jarinjë, Prishtinë–Mutivodë, Gjilan–Muçibabë, Podujevë–Merdarë, Stanqiq–Gjilan dhe Prizren–Vërmicë.
