Haxhiu takon Presidenten e Parlamentit Evropian në Bruksel, kërkon hapa konkretë për anëtarësimin e Kosovës në BE

Haxhiu takon Presidenten e Parlamentit Evropian në Bruksel, kërkon hapa konkretë për anëtarësimin e Kosovës në BE

Aktuale November 17, 2026 - 18:37

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, është takuar në Bruksel me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën Botërore për e-Parlamentin.

Pas takimit, Haxhiu ka bërë të ditur se ka falënderuar Metsolën për ftesën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian ndaj Kosovës.

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte rruga evropiane e Kosovës dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Haxhiu ka theksuar se Kosova është plotësisht e përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke kërkuar që institucionet evropiane të ndërmarrin hapa konkretë lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

“I kërkova Presidentes Metsola të angazhohet që Këshilli i BE-së ta ftojë Komisionin Evropian të japë mendimin për kërkesën e Kosovës, siç ka kërkuar edhe vetë Parlamenti Evropian”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar edhe për reformat evropiane, bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve dhe shkëmbimin e përvojave mes deputetëve dhe administratave parlamentare.

Po ashtu, Haxhiu ka kërkuar mbështetjen e Metsolës për anëtarësimin e Kuvendit të Kosovës në Unionin Ndërparlamentar (IPU).

Sipas saj, presidentja e Parlamentit Evropian është zotuar se do të ndihmojë në këtë drejtim. Në përfundim të takimit, Haxhiu e ka ftuar Metsolën për një vizitë zyrtare në Kosovë.