Ndalimi i importit të energjisë elektrike nga kompanitë serbe, Hoti: Si mund të ndalet diçka që s’ka ekzistuar, sipas shumë zyrtarëve të Qeverisë?
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Abdullah Hoti, ka reaguar lidhur me vendimin e Qeverisë për ndalimin e importit të energjisë elektrike nga kompanitë serbe.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Hoti ka vënë në pikëpyetje këtë vendim, duke rikujtuar deklaratat e mëhershme të disa zyrtarëve të Qeverisë, të cilët, sipas tij, kishin mohuar se një import i tillë ka ekzistuar.
Ai ka ngritur dilema rreth asaj se si mund të ndalohet një aktivitet që më parë është mohuar nga vetë përfaqësuesit e ekzekutivit.
“Qeveria e paska ndaluar importin e energjisë nga kompanitë serbe. A mund të ndalet diçka, e cila sipas shumë zyrtarëve të Qeverisë, nuk ka ekzistuar? Ajo që ndalet, duhet të ekzistojë. Nëse dikush mohon një gjë që ekziston, atëherë ose nuk di çfarë po ndodh, ose e mohon për arsye të dyshimta që së shpejti do të zbardhen”, shkroi Hoti.