Skandali me këngën nacionaliste serbe, KE-ja për “Zërin”: S’e pasqyron qëndrimin tonë dhe të Marta Kosit
Foto: Laura Hasani

Skandali me këngën nacionaliste serbe, KE-ja për “Zërin”: S’e pasqyron qëndrimin tonë dhe të Marta Kosit

Aktuale November 16, 2026 - 13:37
Pas skandalit me këngën nacionaliste serbe, KE-ja për “Zërin”: Vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën drejt BE-së

Gjatë së dielës në Bruksel ndodhi një skandal në mbrëmjen hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, i organizuar nga Komisioni Evropian, ku në koncertin e titulluar “Meloditë e unitetit: Harmoni nga udhëkryqi i Evropës”, krahas pjesëve muzikore nga vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, u interpretua edhe melodia e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”.

Teksti i këngës përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe kundërshton heqjen dorë prej saj.

Gjatë koncertit, megjithatë, nuk u kënduan vargjet e këngës. U interpretua vetëm melodia, ndërsa titulli u shfaq në ekran, sipas dëshmive të pjesëmarrësve.

Lidhur me këtë, “Zëri” ka kërkuar sqarime nga Komisioni Evropian se si është e mundur të lejohet një gjë e tillë.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha për Zeri.info se ashtu edhe siç ka deklaruar mëngjesin e sotëm komisionarja për Zgjerim Marta Kos, kënga është përzgjedhur nga vetë grupi muzikor se nuk është miratuar nga KE-ja.

Sipas këtij zëdhënësi, kjo këngë në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian ose të komisionares Kos lidhur me Kosovën dhe historinë e saj.

“Siç deklaroi edhe këtë mëngjes komisionarja Kos, kënga në fjalë është përzgjedhur nga vetë grupi muzikor dhe nuk është miratuar nga Komisioni Evropian. Shprehim keqardhjen tonë për këtë zgjedhje të grupit muzikor. Kjo prek ndjenja të ndjeshme, veçanërisht duke pasur parasysh historinë e dhimbshme dhe përvojat e ndryshme të komuniteteve në Kosovë. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian ose të komisionares Kos lidhur me Kosovën dhe historinë e saj”, ka thënë tutje ky zëdhënës për “Zërin”.

Sipas tij, e kaluara e përbashkët nuk mund të ndryshohet, por që duhet të punohet që të gjendet një zgjedhje për një të ardhme të përbashkët.

Bazuar në këtë frymë, ky zëdhënës ka thënë se KE-ja e mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën tonë të përbashkët, por mund ta zgjedhim të ardhmen tonë të përbashkët. Dhe kjo e ardhme duhet të jetë evropiane — një e ardhme pa ndarje, ku të gjithë ndihen si në shtëpinë e tyre. Ne nuk po u kërkojmë njerëzve t'i harrojnë dallimet e tyre. Ne po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk janë më arsye për të jetuar të ndarë. Siç u shpreh njëri nga folësit në aktivitetin e djeshëm: dallimet janë të mira, ndarjet jo. Në këtë frymë, ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi ky zëdhënës për “Zërin”.

Ndryshe, kënga “Sa Kosova zora sviqe” - në shqip “Nga Kosova zbardh agimi” - e njohur edhe si “Oj Kosovo, Kosovo”, u krijua në vitin 1989 nga këngëtari dhe kompozitori serb, Lubomir Manasijeviq.

Sipas rrëfimit të autorit për gazetën serbe “Veçernje novosti”, kënga u frymëzua nga përjetimet e tij gjatë shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, në Manastirin e Graçanicës, në qershor të vitit 1989.

Teksti ndërthur referenca ndaj historisë mesjetare dhe trashëgimisë fetare serbe, me pretendime për përkatësinë territoriale të Kosovës.

Në një nga vargjet thuhet: “Ne damo te Kosovo” - “Nuk të japim, Kosovë”, ndërsa në një tjetër Kosova paraqitet si tokë që u ka takuar gjithmonë serbëve dhe është trashëguar nga të parët.

E përshkruar si patriotike në mediat serbe, kënga përmban kështu edhe mesazhe nacionaliste që kundërshtojnë heqjen dorë nga Kosova.

Ajo u krijua në kohën e rritjes së nacionalizmit serb nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit. Në vitin 1989, autoritetet serbe kufizuan në mënyrë drastike autonominë e Kosovës, duke përshkallëzuar represionin politik dhe institucional ndaj shqiptarëve. Një dekadë më vonë, Kosova u përfshi në luftën e viteve 1998-1999.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia vazhdon të mos e njohë atë.

Theksojmë se, polemika për koncertin nxori në pah edhe një çështje tjetër: mungesën e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Edicioni i dytë i Forumit, që zhvillohet më 15 dhe 16 nëntor në Bruksel, mbledh udhëheqës evropianë, përfaqësues të vendeve që synojnë anëtarësimin, ekspertë dhe organizata të shoqërisë civile.

Në programin e tij janë përfshirë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, komisionarja Marta Kos, presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, si dhe përfaqësues nga vende të ndryshme të procesit të zgjerimit. /Zëri