Bajrami për ndërprerjen e tregtimit të rrymës me Serbinë: Tash po shiten si patriotë
Foto: Laura Hasani

Bajrami për ndërprerjen e tregtimit të rrymës me Serbinë: Tash po shiten si patriotë

Aktuale November 16, 2026 - 10:38

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndërprerjen e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë nga Serbia.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Bajrami ka kritikuar Qeverinë, duke thënë se ajo e ka ditur se kush përfiton dhe kush pëson nga vendimet e marra ndër vite në sektorin e energjisë.

Ajo ka përmendur kundërshtimin e projekteve energjetike, duke përfshirë termocentralin e planifikuar nga ContourGlobal, projektin e gazit amerikan përmes MCC-së dhe gazin e lëngshëm amerikan.

“Shtatë vjet kanë përfitu tregtarët e energjisë. E me gjasë, jo veç ata, por edhe këta që e kanë leju këtë gjendje”, ka shkruar Bajrami, transmeton Klankosova.tv.

Bajrami ka kërkuar që Qeveria të japë llogari për paratë e qytetarëve dhe përfitimet që, sipas saj, kanë realizuar tregtarët e energjisë dhe ata që kanë lejuar këtë situatë.

“Tash me këtë vendim na shiten si patriotë të kësaj dekade. Po hajde, tregojuni qytetarëve ku kanë përfundu paratë e tyre: në fitime të majme për tregtarët e energjisë, manipuluesit e tregut dhe ata që e kanë leju këtë gjendje”, ka deklaruar Bajrami.