Tahiri për këngën nacionaliste serbe në Bruksel: BE-ja të kërkojë falje, në Prishtinë dorëheqje
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka reaguar lidhur me interpretimin e këngës nacionaliste serbe në aktivitetin e Bashkimit Evropian në Bruksel, duke kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës dhe institucionet evropiane.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se kur në pushtet vjen një qeveri përmes premtimeve dhe mashtrimeve, siç pretendon ai, dhe tregohet e gatshme të lëshojë pe në çështje të ndryshme, atëherë nuk duhet të habitet për situata të tilla.
“Kur e kuptojnë se ke ardhur në pushtet me premtime e mashtrime, se je fleksibil dhe lëshon pe ku mundesh e ku s’mundesh, s’ke pse të çuditesh që edhe këngët t’i zgjedhin e t’i lëshojnë në Bruksel, ashtu siç janë kompozu e dakordu në Beograd!”, shkroi Tahiri.
Ai e cilësoi rastin si gabim të madh të Bashkimit Evropian, duke kërkuar kërkim faljeje nga BE-ja dhe dorëheqje në Prishtinë.
“Gabim i madh i BE-së, duhet kërkim falje e në Prishtinë dorëheqje”, përfundoi Tahiri.