Terrasi reagon për këngën nacionaliste serbe: Provokim ose injorancë, BE-ja t’i japë llogari Kosovës
Foto: Laura Hasani

Terrasi reagon për këngën nacionaliste serbe: Provokim ose injorancë, BE-ja t’i japë llogari Kosovës

Aktuale November 16, 2026 - 07:58
Terrasi reagon ashpër për këngën nacionaliste serbe kundër Kosovës: BE-ja t’i japë shpjegime Kosovës

Eurodeputeti dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, ka reaguar ndaj interpretimit të një kënge nacionaliste serbe me pretendime territoriale ndaj Kosovës, në një aktivitet të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Përmes një postimi në platformën X, Terras e ka cilësuar interpretimin e këngës si veprim jashtëzakonisht të papërshtatshëm, duke ngritur dilema nëse bëhej fjalë për një provokim të qëllimshëm apo për injorancë.

“Interpretimi i një kënge nacionaliste serbe që pohon pretendime mbi Kosovën në një aktivitet për zgjerimin e BE-së është një gabim jashtëzakonisht i patakt dhe pa shije”, ka shkruar ai.

Eurodeputeti estonez ka kërkuar që Komisioni Evropian dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, t’i japin shpjegime Kosovës për këtë rast.

Reagimi i tij vjen pas interpretimit të muzikës së këngës nacionaliste serbe “Oj Kosova, Kosova”, gjatë mbrëmjes hapëse të Forumit të Zgjerimit të BE-së, më 15 nëntor në Bruksel.

Në këtë aktivitet, Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me grupin slloven “Kapobanda”, ishte paraparë të prezantonte muzikë nga vendet e rajonit. Por, në pjesën e dedikuar Kosovës u interpretua muzika e këngës që përmban mesazhe nacionaliste dhe pretendime serbe ndaj territorit të saj.

Ngjarja ka nxitur reagime edhe në Kosovë. Kryenegociatori me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, e ka cilësuar atë si skandaloze dhe të papranueshme, duke kërkuar nga komisionerja Marta Kos sqarime për atë që ndodhi dhe për masat që do të ndërmerren.

Edhe ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, ka kërkuar sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian lidhur me përzgjedhjen dhe miratimin e repertorit muzikor.

Reagimet janë shtuar edhe për faktin se Kosova nuk ishte e ftuar në edicionin e dytë të Forumit të Zgjerimit të BE-së, i cili po mbahet më 15 dhe 16 nëntor në Bruksel.