Kurti kërkon mbështetjen e Irlandës për anëtarësimin në BE

Kurti kërkon mbështetjen e Irlandës për anëtarësimin në BE

Aktuale November 12, 2026 - 23:10

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministren e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Irlandës, Helen McEntee, me të cilën ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për bashkëpunimin ekonomik, tregtar, arsimor e kulturor, me theks të veçantë në sektorin e teknologjisë së informacionit.

Ai ka falënderuar Irlandën për ndihmën dhe kontributin ndaj Kosovës, ndërsa ka vlerësuar se vendit i takon statusi i kandidatit dhe hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Vendimi për t’i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të ishte i drejtë e i merituar, dhe Republika jonë llogarit në presidencën irlandeze të Këshillit”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se takimi është zhvilluar në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Dublin, duke falënderuar ministren McEntee për ftesën dhe pritjen.