Ambasada e Gjermanisë mbështet qëndrimin e Zyrës së BE-së rreth Ligjit për Specialen
Foto: Laura Hasani

Ambasada e Gjermanisë mbështet qëndrimin e Zyrës së BE-së rreth Ligjit për Specialen

Aktuale November 12, 2026 - 17:50

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka shprehur mbështetje të plotë për qëndrimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë lidhur me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Përmes një reagimi të shkurtër, ambasada gjermane ka deklaruar se pajtohet plotësisht me qëndrimin e shprehur më herët nga Zyra e BE-së në Kosovë.

“Ne pajtohemi plotësisht me këtë deklaratë të BE-së”, thuhet në reagimin e Ambasadës gjermane.

Ndryshe, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, pak kohë më parë ka reaguar duke u shprehur e shqetësuar me njoftimin lidhur me votimin e mundshëm nesër në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Specialen.

“Ndryshimet ngrisin shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, në veçanti pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive. Ndryshimet gjithashtu ngrisin shqetësime lidhur me kushtetutshmërinë e tyre.”, thuhet në reagim.

Në reagimin e Zyrës së BE-së thuhet se vazhdimisht janë angazhuar për t’ua përcjellë këto shqetësime autoriteteve të Kosovës.

“Që nga kthimi i ligjit për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës, jemi angazhuar aktivisht për t'ua përcjellë shqetësimet dhe pritshmëritë tona autoriteteve të Kosovës. Kjo përfshin nevojën për konsultime paraprake përpara çdo miratimi të ligjit, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.”, thuhet në reagim.