Në Brod të Shtërpcës gjenden mbetje mortore gjatë kërkimeve për personat e zhdukur

Në Brod të Shtërpcës gjenden mbetje mortore gjatë kërkimeve për personat e zhdukur

Aktuale November 12, 2026 - 17:05

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar për gjetjen e mbetjeve mortore në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës.

Sipas njoftimit të Komisionit, mbetjet mortore janë gjetur sot, më 12 nëntor 2026, gjatë aktiviteteve të kërkimit dhe gërmimeve në një lokacion të dyshuar, raporton Zeri.info.

Kërkimet në këtë lokacion kishin nisur më 6 nëntor, pas sigurimit të urdhrit përkatës gjyqësor.

Megjithatë, gjatë aktivitetit të parë nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite.

Komisioni ka bërë të ditur se mbetjet mortore të gjetura do t'i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme mjekoligjore dhe procedurave të identifikimit përmes analizës së ADN-së.

Aktivitetet janë realizuar në koordinim ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur, me përkrahjen e Prokurorisë – Departamentit për Krime Lufte.

Trajtimi i këtij lokacioni është bërë edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal, përfshirë komunikimet me Drejtorinë e Republikës së Kroacisë për Personat e Zhdukur gjatë Luftës Atdhetare, si dhe bashkëpunimin me familjet e personave të zhdukur, Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe qytetarët që kanë ofruar informacione të rëndësishme.

Në fund, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka shprehur mirënjohje për të gjitha institucionet dhe qytetarët e përfshirë në këtë proces, duke ritheksuar përkushtimin për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me dhunë. /Zëri