Mustafa përsërit thirrjen për koalicion PDK-LVV: Bashkëpunimi nuk nënkupton amnisti politike
Foto: Laura Hasani

Mustafa përsërit thirrjen për koalicion PDK-LVV: Bashkëpunimi nuk nënkupton amnisti politike

Aktuale November 12, 2026 - 12:30

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, ka përsëritur propozimin për bashkëpunim ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilin e ka cilësuar si “koalicion për shtet”.

Mustafa ka thënë se, pavarësisht kundërshtimeve ndaj këtij propozimi, konkurrenca politike dhe përgjegjësia shtetërore nuk duhet ta përjashtojnë njëra-tjetrën.

Ai ka theksuar se një bashkëpunim i tillë nuk do të nënkuptonte amnisti politike, heqje dorë nga kritikat apo mungesë të llogaridhënies, por do të duhej të mbështetej në objektiva të qarta dhe rezultate të matshme.

“Kam propozuar bashkëpunim ndërmjet PDK-së dhe LVV-së, atë kam quajtur koalicion për shtet. E di se ka pasur kundërshtime të shumta. Disa thonë se koalicioni i tillë do t’i zgjasë jetën politike Albin Kurtit. Dhe se ai duhet të sfidohet me zgjedhje. Ju kujtoj zgjedhjet tri herë rresht, një pas një, i mbajta. Megjithatë, e respektoj këtë qëndrim. Por unë besoj se konkurrenca politike dhe përgjegjësia shtetërore nuk duhet ta përjashtojnë njëra-tjetrën. Bashkëpunimi nuk nënkupton amnisti politike; nuk nënkupton harrimin e gabimeve, heqjen dorë nga kritika ose mungesë të llogaridhënies. Një marrëveshje duhet të ketë objektiva të qarta: përgjegjësi dhe rezultate të matshme. Nuk kërkoj partitë të heqin dorë nga identiteti i tyre. Kërkoj që të diskutojmë nëse ekzistojnë interesa madhore dhe të cilat mund të marrin përgjegjësi së bashku”, tha ai.

Image