Komisioni për Legjislacion shqyrton ligjin për Dhomat e Specializuara që u rikthye në Kuvend
Foto: Laura Hasani

Komisioni për Legjislacion shqyrton ligjin për Dhomat e Specializuara që u rikthye në Kuvend

Aktuale November 12, 2026 - 08:04

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit do të shqyrtojë sot vendimin e Presidentes së Kosovës për kthimin në rishqyrtim të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Sipas rendit të ditës, çështja e dytë e mbledhjes së komisionit është shqyrtimi i Vendimit të Presidentes për kthimin në rishqyrtim të Ligjit nr. 11/L-001, që parasheh ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Mbledhja është paraparë të mbahet në sallën N-204, duke filluar nga ora 09:30.

Ligji ishte miratuar nga Kuvendi më 6 tetor 2026, me 88 vota për, pa vota kundër dhe pa abstenime. Ai kishte kaluar në procedurë të përshpejtuar, ndërsa ndryshimet kishin nxitur debat politik dhe reagime lidhur me ndikimin e mundshëm në mandatin e Dhomave të Specializuara në Hagë. Ndër propozimet e diskutuara ishin ndryshimet në dënimet, mundësia e shqyrtimit të ankesave në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe mënyra e ekzekutimit të dënimeve.

Më 22 tetor, Presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim, pas një kërkese zyrtare të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila ishte edhe sponsorizuese e tij.

Sipas njoftimit të Presidencës, kërkesa për rishqyrtim kishte të bënte veçanërisht me dispozitat që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në këtë institucion.

Në arsyetimin e saj, Presidentja kishte përmendur edhe nevojën për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

PDK-ja, në njoftimin e saj, ka sqaruar se kërkesa për kthimin e ligjit në Kuvend nuk nënkupton nisjen e procedurave nga fillimi, por rishqyrtimin dhe plotësimin e dispozitave të caktuara, me qëllim të forcimit të sigurisë juridike dhe shmangies së pengesave të mundshme në zbatimin e tij.

Sipas PDK-së, ky proces synon që ligji të finalizohet dhe të hyjë në fuqi, ndërsa partia ka shprehur pritjen që ai të miratohet sërish brenda katër javësh.

Edhe Bashkimi Evropian kishte shprehur shqetësim lidhur me ndryshimet e miratuara, duke kërkuar respektimin e mandatit dhe pavarësisë së Dhomave të Specializuara, si dhe mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve.