Osmani: Oligarkët që i kritikonit dikur po ju kontrollojnë edhe juve, mjaft me arsyetime!
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka kritikuar Qeverinë gjatë debatit parlamentar për Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian, duke e akuzuar se ka zëvendësuar oligarkët e mëparshëm me të tjerë.
Ajo iu referua debatit për humbjen e fondeve, duke kujtuar se në vitin 2020 kishte kritikuar në Kuvend dhënien e fondeve për biznesmenë të caktuar.
“Çka thanë për humbjen e fondeve? Thanë që në vitin 2020 fondet ua paskan dhënë bosave të biznesit. A e dini kush e ka kritikuar këtë në atë kohë në Parlament? E kam kritikuar unë”, tha Osmani.
Ajo pretendoi se pushteti aktual vetëm ka ndërruar oligarkët dhe bosët e biznesit, ndërsa ndikimi i tyre në politikë, sipas saj, ka vazhduar.
“Ju vetëm i keni ndërruar bosat e krimit, vetëm i keni ndërruar oligarkët, bosat e biznesit. Oligarkët i kanë kontrolluar ata përpara, oligarkët, fatkeqësisht, po ju kontrollojnë edhe juve”, deklaroi deputetja e LDK-së.
Në fund, Osmani i bëri thirrje Qeverisë që të lërë anash arsyetimet dhe të fokusohet në punën e saj.
“Bëjani Kosovës një nder, filloni me punu, mjaft më me arsyetime”, përfundoi ajo. /Zëri
