Shqiptari rrezikon jetën në Gjermani, udhëton për një orë mes vagonëve të trenit ICE

Shqiptari rrezikon jetën në Gjermani, udhëton për një orë mes vagonëve të trenit ICE

Aktuale November 10, 2026 - 12:49

Një 24-vjeçar shqiptar ka rrezikuar jetën në Gjermani, pasi ka udhëtuar për rreth një orë mes vagonëve të një treni të shpejtësisë së lartë ICE, përpara se të hidhej në shinat e hekurudhës në stacionin e Magdeburgut.

Ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje, ndërsa sipas mediumit gjerman TAG24, gjithçka nisi rreth orës 22:00, kur i riu po udhëtonte me trenin ICE nga Berlini.

Gjatë udhëtimit, 24-vjeçari nuk arriti t'i tregonte kontrollorit të Deutsche Bahn një biletë udhëtimi. Për këtë arsye, atij iu kërkua të zbriste në stacionin e ardhshëm, në Potsdam, gjë të cilën e bëri.

Megjithatë, rreth një orë më vonë, kur treni mbërriti në Stacionin Qendror të Magdeburgut, asistenti i trenit vërejti se shqiptari doli papritur nga hapësira mes vagonëve.

Më pas, ai eci përgjatë platformës dhe u hodh në shtratin e shinave të hekurudhës.

Policia Federale arriti ta gjente pak kohë më vonë dhe e shoqëroi në stacion. Gjatë marrjes në pyetje, 24-vjeçari pranoi se kishte udhëtuar mes vagonëve të trenit ICE, transmeton Telegrafi.

Ndaj tij është iniciuar procedurë penale për përfitim të shërbimeve përmes mashtrimit, si dhe për shkelje të tjera sipas Kodit Penal dhe Rregulloreve për Ndërtimin dhe Operimin e Hekurudhave.

Rasti vë në pah rrezikun e madh që paraqet udhëtimi në hapësirat mes vagonëve të trenave, si dhe hyrja në shinat e hekurudhës.