Një grup qytetarësh vijon protestën para Kryeministrisë në Tiranë
Një grup qytetarësh kanë vijuar edhe mbrëmjen e sotme protestën para ndërtesës së Kryeministrisë në Tiranë.
Protesta, e cila zhvillohet prej 163 ditësh, vijon të ketë të njëjtat kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e kastës së vjetër politike.
Protestuesit kanë bërë të ditur se nuk pranojnë dialog me kreun e qeverisë.
Ata theksojnë se do të vijojnë protestën dhe qëndrimin përpara godinës së Kryeministrisë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Ndërkohë ka hyrë në fuqi paketa ligjore kundër dhunës urbane, e cila përfshin gjashtë instrumente ligjore që synojnë parandalimin e akteve të dhunës, mbrojtjen e pronës publike dhe private, si dhe forcimin e përgjegjësisë individuale të personave që shkaktojnë dëme gjatë tubimeve.
Ndryshimet në ligj parashikojnë që personat përgjegjës për dëmtimin e pronës do të detyrohen të përballojnë financiarisht dëmet e shkaktuara. Paketa parashikon gjithashtu gjoba deri në 500 mijë lekë për personat që fshehin identitetin dhe nuk i përgjigjen thirrjeve të Policisë gjatë tubimeve./atsh