IKD-ja kërkon përgjegjësi penale për moszbatimin e aktgjykimeve të Kushtetueses, opozita bën thirrje për respektimin e tyre

IKD-ja kërkon përgjegjësi penale për moszbatimin e aktgjykimeve të Kushtetueses, opozita bën thirrje për respektimin e tyre

Aktuale November 06, 2026 - 11:16

Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe mungesa e mekanizmave efektivë për të siguruar zbatimin e tyre u diskutuan në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ku përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile ngritën shqetësime për cenimin e autoritetit të Gjykatës dhe pasojat që kjo praktikë ka për funksionimin e shtetit të së drejtës.

Gjatë diskutimit u theksua se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të mbeten vetëm në letër, por duhet të zbatohen nga të gjitha institucionet, ndërsa u kërkua edhe plotësimi i Kodit Penal për të përcaktuar shprehimisht përgjegjësinë penale në rastet e moszbatimit të tyre.

Hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, tha se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është problem që shkon përtej rasteve individuale, duke cenuar autoritetin e këtij institucioni dhe të drejtat e qytetarëve.

“Në rastin KO79/23, për Ligjin për Pagat, Kuvendi nuk e përmbushi brenda afatit detyrimin për të ndryshuar dispozitën për shtesën e përvojës së punës. Ndërsa, në rastin KO124/25, për konstituimin e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese konstatoi në gusht të vitit 2025 se deputetët nuk e kishin zbatuar aktgjykimin e saj të mëparshëm. Pra, nga këto raste shohim se problemi është shumë më i gjerë. Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk cenon vetëm autoritetin e saj, por prek drejtpërdrejt të drejtat e qytetarëve dhe dobëson besimin e tyre në institucionet e shtetit. Çfarë vlere ka një vendim në favor të një qytetari, nëse ai duhet të presë edhe dhjetë vjet për ta realizuar të drejtën e tij? Dhe çfarë kuptimi ka që Kushtetuta i bën vendimet të detyrueshme, nëse institucionet nuk i zbatojnë ato? Këto janë pyetje që dalin nga rastet e trajtuara në analizën tonë. Një tjetër problem që kemi evidentuar lidhet me Kodin Penal. Aktualisht, neni 394 e parasheh përgjegjësinë penale për mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Mirëpo, në këtë nen nuk përmenden shprehimisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Kjo krijon paqartësi, sepse Gjykata Kushtetuese nuk është pjesë e sistemit të gjykatave të rregullta. Ne kemi parë edhe se si e kanë rregulluar këtë çështje shtetet e tjera”, tha Jakaj.

Ai bëri të ditur se nisma legjislative është mbështetur nga mbi 12 mijë qytetarë dhe tashmë i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që deputetët ta trajtojnë me seriozitet.

“Më 23 korrik të këtij viti kemi filluar mbledhjen e nënshkrimeve, proces të cilin e kemi përmbyllur më 23 tetor. Për tre muaj kemi qenë në shumë komuna të Kosovës. Kemi takuar qytetarë në sheshe, kemi biseduar me përfaqësues lokalë dhe kemi organizuar diskutime me studentë. Për ne, ky nuk ka qenë vetëm proces i mbledhjes së nënshkrimeve, por edhe mundësi që qytetarët të njihen me problemet dhe të bëhen pjesë e propozimit të zgjidhjeve. Në fund, 12.120 qytetarë e kanë mbështetur Nismën tonë. Më 26 tetor, këtë nismë e kemi dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nisma përmban dy propozime: përgjegjësinë penale për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe përgjegjësinë penale për përdorimin e parasë publike për përfitim elektoral. Analizën për çështjen e dytë do ta prezantojmë më 18 nëntor. Tani, pasi qytetarët e kanë bërë pjesën e tyre, radhën e ka Kuvendi që ta shqyrtojë këtë nismë. Presim që edhe deputetët ta trajtojnë me seriozitet këtë propozim dhe vullnetin e shprehur nga mbi 12 mijë qytetarë. Në fund, qëllimi ynë nuk është të kemi sa më shumë njerëz të dënuar, por të kemi sa më pak vendime të Gjykatës Kushtetuese që mbeten pa u zbatuar. Sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen nga të gjithë, pa përjashtim”, theksoi Jakaj.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, tha se obligimi për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i përcaktuar qartë me Kushtetutë dhe se institucionet duhet ta respektojnë atë, pavarësisht dallimeve politike.

“Përgjigjja juridike në këtë çështje është e qartë. Neni 116 i Kushtetutës përcakton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe për të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ne mund të debatojmë normalisht publikisht për arsyetimin e një vendimi, mund të kemi mendime të ndryshme politike për pasojat e një vendimi, mirëpo detyrimin për ta zbatuar e kemi të përbashkët. Nga ai moment kur pyetja për zyrtarin publik është se çfarë duhet të bëjë dhe kur duhet ta bëjë një veprim, si Partia Demokratike e Kosovës e kemi përdorur të drejtën që na jep Kushtetuta për të kontestuar disa ligje në Gjykatën Kushtetuese. Në shumë prej rasteve, gjykata ka konstatuar shkelje kushtetuese dhe ka shpallur të pavlefshme ligjet që ka miratuar shumica. Këto i konsideroj fitore politike jo vetëm për PDK-në, por për institucionet e Republikës”, deklaroi Çitaku.

Ajo theksoi se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë standard i njëjtë për të gjitha partitë politike, përfshirë edhe PDK-në, duke përmendur rastet kur janë kontestuar ligje të miratuara nga shumica parlamentare.

“Megjithatë, ne duhet të shkojmë përtej saj. Ka pasur shumë raste, dhe nuk dua t’ju ngarkoj për t’i përmendur një nga një, nga ligji për konfiskimin e zyrtarëve e deri te ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, në të cilat gjykata ka identifikuar shkelje në disa dispozita, përfshirë edhe atë për zgjedhjen apo shkarkimin e anëtarëve. Debati politik aty kishte të bënte me pavarësinë e një institucioni që mbikëqyr një pjesë të hapësirës mediatike. Mënyra se si emërohen anëtarët e tij dhe kushtet në të cilat ata mund të shkarkohen, përcaktojnë se sa të lirë janë ata në procesin e vendimmarrjes, dhe ne me ligj duhet t’ua mundësojmë që vendimet e tyre të mos kufizohen nga vullneti i shumicës. E kemi parë shpeshherë peshën e kontrollit kushtetues edhe gjatë proceseve të shumta të konstituimit të Kuvendit nga viti 2025 e tutje. Mirëpo, të njëjtin standard e pranoj edhe për partinë time: kur një vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk i përshtatet qëndrimit politik të PDK-së, PDK-ja megjithatë e ka për detyrë ta respektojë”, u shpreh Çitaku.

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, tha se respektimi i Kushtetutës dhe vendimeve që burojnë prej saj duhet të jetë parim themelor i funksionimit të shtetit demokratik.

Ai rikujtoi se ndërtimi institucional i Kosovës është mbështetur në akte kushtetuese dhe politike, të cilat kanë shërbyer si bazë për organizimin dhe funksionimin e shtetit.

“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në aspektin ideologjik, por edhe si përcaktim politik, gjithmonë ka qenë e rëndësishme që të ketë respektim të akteve që burojnë nga Kuvendi, nga përfaqësuesit e popullit, duke filluar nga ajo e hershmja që është historia, Deklarata e Korrikut të vitit 1990 dhe Kushtetuta e 7 shtatorit, të cilat kanë qenë bazat themelore të krijimit të shtetit të ri të Kosovës. Tash, në këtë kohë në të cilën kemi kaluar kohët e fundit, ka pasur tendenca që ndonjëherë të kemi, ndoshta është rëndë të quhet, po një farë lloj zhvleftësimi të heshtur të Kushtetutës së Kosovës, akteve që burojnë nga ajo, por mbi të gjitha edhe të vendimeve të saj, më shumë duke i parafrazuar me veprime dhe vendime politike në krijimin e institucioneve të Kosovës, por edhe në vendime të tjera që kanë prekur interesa të ndryshme në Republikën tonë”, tha Zemaj.

Sipas tij, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të trajtohen si rekomandime politike, ndërsa problematike mbetet edhe mungesa e dispozitave të qarta në Kodin Penal për trajtimin e moszbatimit të këtyre vendimeve.

“Tash, në një shtet demokratik, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të shihen si rekomandime politike, por janë vendime juridikisht të detyrueshme, edhe ato duhet të mbesin si për organet publike, ashtu edhe për organet shtetërore. Se si i fuqizojmë tash në këtë aspekt edhe në këtë diskutim të cilin po e bëjmë? Edhe Gjykata Kushtetuese e ka rolin e saj që për moszbatim i referohet Prokurorisë së Shtetit, por ne kemi problem me Kodin Penal të Kosovës. Sepse aty flet Naim Jakaj saktë për moszbatimin e vendimeve të gjykatës, por pjesa tjetër që ndërlidhet me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, asnjëherë nuk ka arritur që t’i gjykojë ose t’i interpretojë ose t’i procedojë tutje Prokuroria e Shtetit”, theksoi Zemaj.

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, vlerësoi se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është shndërruar në një praktikë shqetësuese, e cila po ndikon edhe në respektimin e të drejtave civile dhe qytetare në Kosovë.

Ai tha se problemi nuk kufizohet vetëm në moszbatimin e aktgjykimeve kushtetuese, por shfaqet edhe në raste të tjera të shkeljes së të drejtave të qytetarëve.

“Ajo që e shohim çdo ditë e më shumë është fakti se kjo moszbatueshmëri është kthyer në normalitet edhe në nivele të tilla sikurse e trajton iniciativa juaj, por edhe në nivele të tjera që kanë të bëjnë edhe me të drejtat civile, edhe të drejtat qytetare të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Tu shku deri te konfiskimi i patentë shoferëve që ka qenë një prej shkeljeve serioze të të drejtave elementare të njeriut, pa vendim gjykate, e deri te kulmi, pra nëse themi kulmi i shtetit në kuptimin e kushtetutshmërisë, pra moszbatimi i qëllimshëm i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, e cila, pajtomi, sepse është e evidentuar statistikisht dhe në raste, nuk është që ka filluar sot, nuk është që ka filluar dje, por tashmë ka arritur në një nivel kur interpretimi edhe diskutimi, vlerësimi politik mbi aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, janë bërë më të rëndësishme sesa vetë aktgjykimi. Pra duket që në këtë kuptim interpretimi mbi ose diskutimi politik mbi ato çka ka thënë Gjykata Kushtetuese ka më shumë vlerë sesa aktgjykimi”, deklaroi Ramadani.

Ramadani e cilësoi nismën e IKD-së si kontribut të rëndësishëm të shoqërisë civile për mbrojtjen e parimeve demokratike, duke kritikuar njëkohësisht mungesën e qëndrimit publik të Qeverisë për këtë çështje.

“Dhe si i tillë normal që duhet me u kthyer në një gjetje, e që ju e keni nisur, edhe kjo është kontribut i jashtëzakonshëm i juaji, i shoqërisë civile në tërësi, për kontributin në demokratizimin edhe ruajtjen e parimeve demokratike që na i kemi të njohura në Kushtetutën tonë, edhe vlerat që i përfaqëson Kushtetuta jonë. Është e qartë se lëndimi i demokracisë është serioz, me doza të dukshme alarmante në fusha të caktuara, edhe kjo lidhet absolutisht me një lloj lufte politike ndaj institucioneve, pavarësisë së institucioneve kushtetuese, edhe nuk e kalon asnjëherë Gjykatën Kushtetuese, si ai gardiani i interpretimit të ligjëruar të vendimeve në raport me aspektin e Kushtetutës. Shihni, kjo mungesa e qëndrimeve politike, publike të Qeverisë është sinjal negativ, për mua është sinjal negativ, sepse në nismën tuaj, e cila është mbështetur në numër serioz të qytetarëve dhe është bërë debat publik në vazhdimësi, është keqësisht jo serioze nëse nuk ka qëndrim publik politik të Qeverisë. Dhe mungesa e një qëndrimi të tillë mendoj që është qëndrim në vete”, tha Ramadani. /eo