Arrijnë protezat e para të gjurit në QKUK, nis decentralizimi i listave të pritjes
Foto: Laura Hasani

Arrijnë protezat e para të gjurit në QKUK, nis decentralizimi i listave të pritjes

Aktuale October 28, 2026 - 11:00

Ka arritur kontingjenti i parë i protezave të gjurit në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, duke shënuar fillimin e realizimit të këtij procesi.

Ky furnizim synon të kontribuojë në përmirësimin e qasjes së pacientëve në shërbimet ortopedike dhe në trajtimin e personave që kanë nevojë për vendosjen e protezave të gjurit.

“Ka arritur kontingjenti i parë i protezave të gjurit në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke shënuar fillimin e realizimit të këtij procesi dhe një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të qasjes së pacientëve në shërbimet ortopedike. Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, ka nisur procesi i decentralizimit të listave të pritjes për vendosjen e protezave të gjurit dhe të kokërdhokullës, me synimin që rastet të shpërndahen në mënyrë proporcionale ndërmjet QKUK-së dhe spitaleve të përgjithshme rajonale, sipas kapaciteteve dhe mundësive për trajtim. Ky organizim synon të lehtësojë barrën e listave të pritjes, të përmirësojë efikasitetin e shërbimeve shëndetësore dhe t’u mundësojë pacientëve trajtim më afër vendbanimit të tyre, pa pasur nevojë që të gjitha rastet të drejtohen vetëm në QKUK. Ky proces përbën një hap të rëndësishëm drejt një sistemi shëndetësor më të qasshëm, më efikas dhe më të orientuar drejt nevojave të pacientëve”, ka njoftuar QKUK-ja.