Musliu kërkon raportim për vrasjen e Arlinda Zekajt, Komisioni s’e miraton

Musliu kërkon raportim për vrasjen e Arlinda Zekajt, Komisioni s’e miraton

Aktuale October 27, 2026 - 15:19

Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka nxitur debat në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Anëtarja e Komisionit nga PDK-ja, Ganimete Musliu, ka kërkuar që javën e ardhshme të ftohet për raportim drejtori i përgjithshëm i Policisë, për të diskutuar lidhur me rastin dhe veprimet e institucioneve të sigurisë.

Megjithatë, propozimi i saj nuk është miratuar, pasi kryetari i Komisionit, Mefail Bajqinovci, ka deklaruar se drejtori i përgjithshëm do të raportojë para anëtarëve të këtij komisioni muajin e ardhshëm.

"Sot propozoj që në mbledhjen e radhës javën tjetër ta caktojmë datën të ftohet drejtori i Policisë së Kosovës dhe të raportojë specifikisht për këtë çështje", tha Ganimete Musliu, anëtare e Komisionit.

"E kemi planprogramin, drejtori do të jetë pas katër jave në komision dhe do të përgjigjet për të gjitha temat dhe shqetësimet që i kanë deputetët", theksoi Mufail Bajqinovci, kryetar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Në anën tjetër, deputetja Shqipe Selimi tha se rasti i Arlinda Zekajt dhe rastet e tjera të dhunës në familje duhet të trajtohen me seriozitet nga të gjitha institucionet përgjegjëse.

"Nga ky komision ju bëjë thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese si të prokurorisë, policisë dhe gjithë atyre që kanë të bëjnë me çështjet sociale të merren shumë seriozisht me këto tema dhe të mos i neglizhojnë, mos të mbetet faji te një grua apo i një gruaje mos të mbetet faji te Policia apo te Prokuroria", pohoi Shqipe Selimi, anëtare e Komisionit.

Ndërkaq, në këtë mbledhje, Komisioni ka miratuar në parim projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, përmes së cilit synohet krijimi i një kuadri ligjor për funksionimin e kësaj agjencie.