Rasti i Arlinda Zekajt, Prokuroria e Pejës nis hetimet ndaj zyrtarëve

Rasti i Arlinda Zekajt, Prokuroria e Pejës nis hetimet ndaj zyrtarëve

Aktuale October 26, 2026 - 13:52

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka mbajtur një konferencë për media, një ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt nga dora e kunatit të saj, i cili tashmë është shpallur në kërkim nga autoritetet.

Para mediave, Nikçi tha se më 22 tetor, kryeprokurorja e kësaj Prokurorie ka pranuar një parashtresë nga viktima, ku, sipas tij, me të pranuar këtë parashtesë, kanë qenë tri çështje të ngritura.

Ai tha se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme nëse ka pasur shkelje ose keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Ndër veprimet e para të Kryeprokurores të kësaj Prokurorie ka qenë që të hapet proces hetimor ndaj të gjithë zyrtarëve të gjitha institucioneve relevante, dhe kanë qenë pretendimet e viktimës, ndërsa vendimi i dytë ka qenë i prokurores kujdestare që të asistojë në zbatimin e këtij vendimi. Ndërkaq, pretendimi i tretë ka qenë rrezikimi i jetës së viktimës, e cila e ka parashtruar këtë në kërkesën e drejtuar kryeprokurores”, tha ai.

Nikçi u ndal në mënyrën kronologjike të rastit tragjik.

“Ditën e enjte, më 22 tetor, viktima ka shkuar me Policinë e Kosovës në shtëpi. Disa orë më vonë, ka pasur raportime për mosmarrëveshje brenda Policisë. Prokurorja kujdestare ka shkuar në stacionin policor, ku i ka kërkuar viktimës që, për momentin, të mos shkonte në atë shtëpi për shkak të sigurisë. Viktima e ka kundërshtuar kategorikisht kërkesën për të mos shkuar në shtëpi. Për këtë arsye, janë thirrur dy vëllezërit e saj për të negociuar dhe për ta bindur që të shkonte në shtëpinë e vëllezërve të saj”.

“Me vendim të kryeprokurores, të gjitha institucionet janë udhëzuar që të veprojnë urgjentisht, me qëllim që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë. Prokurorja dhe Policia kanë konstatuar se shtëpia nuk ishte e sigurt. Viktima ka pranuar që natën e 22 tetorit të shkonte te vëllezërit e saj, por ka kërkuar nga Prokuroria një shkresë zyrtare ku të shpjegoheshin arsyet pse nuk mund të shkonte në shtëpinë ku jetonte me bashkëshortin. Viktima ka kaluar një natë te vëllezërit e saj, ndërsa është përpiluar shkresa zyrtare lidhur me shkaqet e sigurisë së viktimës”, tha ai.

“Prokuroria kujdestare ka kërkuar që një patrullë policore të monitorojë zonën ku banon viktima dhe, njëkohësisht, që në intervale të caktuara kohore, zyrtarët policorë ta kontaktojnë viktimën për ta pyetur nëse gjithçka është në rregull”.

Nikçi shtoi se prokuroria ka kërkuar që viktima të strehohej në strehimore.

“Viktima është rekomanduar të dërgohej në strehimore, e njëjta ka kundërshtuar kategorikisht, ka insistuar të kthehej në vendbanimin e saj. Patrulla e policisë e ka dërguar në vendbanim dhe pas disa minutave, për fat të keq, nga kunati i saj është sulmuar me një mjet të fortë dhe ka pësuar lëndime fatale për jetën e saj”, u shpreh Nikçi.

Ai shtoi se ish-kunati i saj, i dyshuar për këtë vepër të rëndë, është ende në kërkim nga policia.