Musliu-Shoshi e cilëson “të zbehtë” fjalimin e Konjufcës në OKB: E vërteta historike nuk mbrohet me gjysmë zëri
Foto: Laura Hasani

Musliu-Shoshi e cilëson “të zbehtë” fjalimin e Konjufcës në OKB: E vërteta historike nuk mbrohet me gjysmë zëri

Aktuale October 21, 2026 - 08:34

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar fjalën e Glauk Konjufcës në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB.

Në një postim në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Musliu-Shoshi ka thënë se qasja e Konjufcës karshi vendimit të Hagës la shumë për të dëshiruar.

Sipas saj, aktgjykimi i padrejtë u trajtua më një gjuhë të zbehtë, duke mjaftuar vetëm me konstatimin se “ka gabime në përmbajtje dhe fakte”.

“Asnjë fjalë për rolin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit në çlirimin, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës! Dhe këtë qasje e dëgjuam pikërisht nga njeriu që është caktuar ta udhëheqë strategjinë shtetërore për Hagën. Nëse në Këshillin e Sigurimit nuk artikulohet fuqishëm kundërshtimi ndaj këtij aktgjykimi, ku dhe kur do të artikulohet?”, shkroi Musliu-Shoshi.

Sipas saj, padrejtësia nuk kundërshtohet me diplomaci, vetëm sa për formalitet.

Reagimi i plotë i Musliu-Shoshit, pa ndërhyrje:

GLAUK, 81 VJET BURG NUK JANË NJË GABIM TEKNIK QË KALOHET ME DY FJALI DIPLOMATIKE!

Në Këshillin e Sigurimit, Glauk Konjufca e trajtoi aktgjykimin ndaj çlirimtarëve tanë me një gjuhë të zbehtë, duke u mjaftuar me konstatimin se ka “gabime në përmbajtje dhe fakte” që pritet të korrigjohen në Apel!

81 vjet burg për katër figura të luftës sonë çlirimtare meritojnë shumë më tepër sesa një shprehje shqetësimi!

ASNJË fjalë për rolin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit në çlirimin, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës!

Dhe këtë qasje e dëgjuam pikërisht nga njeriu që është caktuar ta udhëheqë strategjinë shtetërore për Hagën!

Nëse në Këshillin e Sigurimit nuk artikulohet fuqishëm kundërshtimi ndaj këtij aktgjykimi, ku dhe kur do të artikulohet?

Ministër, aty nuk përfaqësoni një parti apo një qeveri. Përfaqësoni Republikën e Kosovës dhe historinë e saj!

Padrejtësia nuk kundërshtohet me diplomaci sa për formalitet. E vërteta historike nuk mbrohet me gjysmë zëri. /Zëri