Britania kërkon nga Serbia dorëzimin e Radoiçiqit për sulmin në Banjskë

Britania kërkon nga Serbia dorëzimin e Radoiçiqit për sulmin në Banjskë

Aktuale October 20, 2026 - 23:28

Përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Jennifer MacNaughtan, i ka bërë thirrje Serbisë që personat përgjegjës për sulmin në Banjskë, përfshirë Milan Radoiçiqin, të dalin para drejtësisë.

Gjatë adresimit në OKB, MacNaughtan rikujtoi sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë që ata që janë përgjegjës të sillen para drejtësisë”, deklaroi MacNaughtan, duke përmendur në mënyrë të veçantë Milan Radoiçiqin.

Në adresimin e saj, përfaqësuesja britanike foli edhe për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ai është thelbësor për stabilitetin afatgjatë dhe perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

Ajo u bëri thirrje të dyja palëve që të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

MacNaughtan theksoi gjithashtu rëndësinë e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës, duke kërkuar nga Serbia qasje në arkivat dhe dokumentacionin përkatës.

Ndër të tjera, Mbretëria e Bashkuar përsëriti mbështetjen për Kosovën dhe bëri thirrje për rishikimin e rolit dhe financimit të UNMIK-ut, në përputhje me zhvillimet dhe realitetin aktual në vend.