Kryeministri belg-Kurtit: Të zgjerojmë bashkëpunimin, përfshirë mbrojtjen dhe burgjet

Kryeministri belg-Kurtit: Të zgjerojmë bashkëpunimin, përfshirë mbrojtjen dhe burgjet

Aktuale October 19, 2026 - 16:30

Kryeministri Albin Kurti, pranoi letër urimi për mandatin e ri nga kryeministri i Mbretërisë së Belgjikës, Bart De Wever.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në letrën drejtuar Kurtit, De Wever theksoi se kontaktet ndërmjet dy qeverive janë shtuar në vitet e fundit.

“Kontaktet politike ndërmjet dy qeverive tona janë shtuar në vitet e fundit dhe, pasi ju takova në New York në shtatorin e vitit të kaluar, ju mirëpritët ministrin tim të Punëve të Jashtme, z. Prévot, në Prishtinë në prill të këtij viti. Këto shkëmbime reflektojnë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona”, shkroi De Wever.

Duke vlerësuar bashkëpunimin aktual, kryeministri De Wever shprehu gatishmërinë për zgjerimin e tij, duke përmendur edhe rolin e mërgatës.

“Ju lutem, më lejoni të vlerësoj bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy vendeve tona në fushat e policisë dhe gjyqësisë, sikurse përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar krimin e organizuar, një çështje që përbën shqetësim të madh për të dyja, Belgjikën dhe Kosovën. Shpresoj që do të kemi mundësi të zgjerojmë bashkëpunimin tonë më tej në fusha të tjera, përfshirë mbrojtjen dhe burgjet, gjithashtu duke thelluar lidhjet tona ekonomike, posaçërisht duke ndërtuar mbi lidhjet e forta njerëzore të krijuara nga diaspora”, vazhdoi ai.