Kosova zgjeron shërbimet për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit

Kosova zgjeron shërbimet për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit

Aktuale October 19, 2026 - 09:43

Më shumë se gjysma e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit në Kosovë po identifikohen në fazat e para të sëmundjes, ndërsa institucionet shëndetësore po paralajmërojnë zgjerimin e kapaciteteve për diagnostikim dhe trajtim.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se 53,4 për qind e grave me kancer të gjirit janë diagnostikuar në stadin e parë dhe të dytë, duke vlerësuar se ky zhvillim rrit mundësitë për sukses të terapisë dhe mbijetesë.

“ Nga viti 2024, siç e thashë, falë këtij angazhimi e falë punës suaj, 53.4% e grave janë diagnostikuar në stadin e parë dhe të dytë”, tha Vitia në Simpoziumin e Tretë për Kancerin e Gjirit, i organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës.

Gjatë këtij aktiviteti, ministri bëri të ditur se Kosova tashmë ka planin e veprimit për skriningun e kancerit të gjirit për periudhën 2026–2028.

Ai njoftoi gjithashtu se mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore dhe se këtë vit pritet të shtohen edhe tetë mamografë digjitalë në komunat ku kanë munguar këto pajisje.

“Përmes mamografit mobil po ofrojmë edhe shërbimin edhe për gratë në komunat ku nuk ka aparatura për momentin”, theksoi Vitia.

Ministri foli edhe për investimet në trajtimin e sëmundjeve onkologjike, duke përmendur modernizimin e Klinikës së Onkologjisë me dy akseleratorë të rinj dhe rritjen e buxhetit për barnat onkologjike.

“Paralelisht, bashkë me Klinikën e Onkologjisë dhe drejtorin Kurtishi, tash edhe kemi modernizuar edhe Klinikën e Onkologjisë, me dy akseleratorë të rinj dhe buxhetin për barna onkologjike nga 8 sa ka qenë në 22 milion euro”, tha ai.

Ndërkohë, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë realizuar 1 mijë e 847 mamografi në kuadër të aktiviteteve për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Prej tyre, 463 janë kryer vetëm gjatë muajit tetor.

Sipas tij, gjatë këtij viti, deri në ditën e mbajtjes së simpoziumit, janë realizuar edhe 700 mamografi, rreth 150 prej tyre gjatë tetorit.

“Kanceri i gjirit mbetet një sfidë e rëndësishme në shëndetin publik, përballja me këtë sëmundje kërkon bashkëpunim ndërdisiplinor, ndërgjegjësim të vazhdueshëm dhe efikasitet klinik të ndërprerë”, deklaroi Gashi.

Në anën tjetër, kryetari i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Osman Zhuri, tha se simpoziumi synon shkëmbimin e përvojave profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe profesionistëve shëndetësorë.

“Ky simpozium, na jep mundësi të ndajmë njohuri, përvoja dhe ide të reja, si dhe të forcojmë bashkëpunimin tonë në shërbim të një komuniteti që ballafaqohet me probleme tejet serioze, të natyrës jetike, shëndetësore”, u shpreh Zhuri.

Simpoziumi u mbajt në kuadër të aktiviteteve të Tetorit Rozë, me fokus në ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, diagnostikimin e hershëm dhe përmirësimin e qasjes së grave në shërbimet shëndetësore. /rtk