Jepen 22 masa sigurie për protestuesit

Jepen 22 masa sigurie për protestuesit

Aktuale October 17, 2026 - 17:06

Gjykata e Tiranës ka dhënë deri më tani 22 persona masa sigurie. Gazetarja e A2 CNN Ornela Joti raporton se për 8 persona është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, 2 me “arrest në shtëpi” dhe 12 me “detyrim paraqitjeje”.

Gjykata po shqyrton masat e sigurisë për 63 protestues të ndaluar gjatë protestave të ditëve të fundit në kryeqytet.

Më herët në një lidhje me Ditarin e Denisa Pashollit në A2 CNN, një prej avokatëve të të arrestuarve deklaroi se prokuroria ka kërkuar në një numër të konsiderueshëm rastesh masën “arrest me burg”, me afat 21-ditor, pa paraqitur prova konkrete që lidhin secilin prej të ndaluarve me veprat penale për të cilat akuzohen.

Sipas mbrojtjes, disa prej të rinjve janë ndaluar në zona të ndryshme të Tiranës, përfshirë Rrugën e Durrësit dhe Rrugën e Kavajës, ndërsa akuzohen për përfshirje në ngjarjet e ndodhura në Komisariatin nr. 2 dhe për dëmtimin e institucioneve.

Avokati kundërshtoi gjithashtu pretendimin për djegien e derës së Gjykatës Kushtetuese, duke deklaruar se, sipas pamjeve filmike të shqyrtuara nga mbrojtja, ishte djegur dera e hyrjes së Kuvendit të Shqipërisë.

Avokati i cilësoi këto procedura si shkelje të Kodit të Procedurës Penale dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke argumentuar se çdo person duhet të njihet me provat mbi të cilat mbështetet akuza. Ai pretendoi gjithashtu se procesverbalet dhe kërkesat për masa sigurie përmbajnë të dhëna të standardizuara, pavarësisht se ndalimet kanë ndodhur në vende dhe momente të ndryshme.

Ndërkohë, jashtë gjykatës, familjarë dhe të afërm të të ndaluarve vijojnë të presin me ankth vendimet për të rinjtë, mes të cilëve ka edhe studentë. Avokatët kanë ngritur shqetësimin se sekuestrimi i telefonave ua ka vështirësuar të rinjve vërtetimin e statusit të studentit, pasi dokumentacioni përkatës ndodhej në aplikacionet e tyre telefonike. /A2cnn

Image