ASK: Në gusht ranë lindjet dhe shkurorëzimet, u rritën vdekjet dhe kurorëzimet
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat preliminare për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet gjatë muajit gusht 2026.
Sipas ASK-së, gjatë këtij muaji janë regjistruar gjithsej 2.500 lindje brenda dhe jashtë Kosovës, që paraqet një rënie prej 7.1 për qind krahasuar me korrikun.
Nga numri i përgjithshëm i lindjeve, 1.284 ishin meshkuj dhe 1.216 femra.
Ndërkohë, gjatë gushtit janë regjistruar 967 raste të vdekjeve brenda dhe jashtë Kosovës. Prej tyre 524 ishin meshkuj dhe 443 femra.
Krahasuar me muajin korrik, numri i vdekjeve është rritur për 10,8 për qind.
Në anën tjetër, gjatë gushtit janë regjistruar 1.943 kurorëzime, ose 44,6 për qind më shumë se në muajin paraprak.
Sa u përket shkurorëzimeve, në Kosovë janë regjistruar 97 raste gjatë gushtit. Ky numër është zvogëluar për 42,3 për qind, krahasuar me korrikun.
ASK-ja ka bërë të ditur se të dhënat janë preliminare dhe bazohen në të dhënat administrative të Agjencisë së Regjistrit Civil të Kosovës (ARC). /Zëri