Protesta studentore në Shqipëri, bojkotohet mësimi në disa qytete
Protesta studentore në Shqipëri ka hyrë në ditën e tretë, me nxënës dhe studentë që kanë bojkotuar mësimin në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Që në orët e para të së enjtes nxënës dhe studentë i janë përgjigjur thirrjeve për protestë, ndërsa në Tiranë ka nisur grumbullimi i protestuesve para Parlamentit.
Protesta vjen pas tensioneve të së mërkurës në kryeqytetin shqiptar, ku pati përplasje, zjarre dhe dëme materiale në rrugë, institucione dhe biznese.
Bojkotimi i mësimit është shtrirë edhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë, ku gjimnazistë dhe studentë janë përfshirë në lëvizjen protestuese, pas thirrjeve të shpërndara në rrjetet sociale.
Ndërkohë, deputetët kanë anuluar seancën plenare të paraparë për këtë të enjte, në një kohë kur vëmendja publike dhe politike është përqendruar te protestat dhe zhvillimet e fundit në vend.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas protestës të së mërkurës, duke akuzuar opozitën se po përpiqet ta pengojë vendin në rrugën drejt integrimit evropian. Ai ka theksuar se Shqipëria nuk do të kthehet prapa, derisa ka thënë se nuk do të japë dorëheqje për shkak të protestave, pasi siç ka thënë, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka ngritur shqetësimin për pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm të miturish në protestë, duke pretenduar se në disa raste ata janë vendosur në vijën e parë të përplasjeve. Përmes një deklarate, policia i bën thirrje prindërve që të tregojnë kujdes të shtuar për fëmijët dhe të sigurohen se ata nuk ndodhen në ambiente ku ka përplasje.
“Policia e Shtetit ka konstatuar me shqetësim pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm të miturish në protestat e ditëve të fundit. Në disa raste, fëmijët janë gjendur në vijën e parë të përplasjeve, të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj akteve të dhunës, sendeve të forta të hedhura dhe mjeteve të përdorura nga Policia për menaxhimin e situatës. Siguria e fëmijëve është një përgjegjësi që nuk mund të negociohet dhe nuk mund të përdoret për asnjë qëllim. Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor të garantojë rendin dhe sigurinë publike, duke treguar kujdes të veçantë për mbrojtjen e të miturve. Por kjo përgjegjësi u takon, para së gjithash, prindërve dhe kujdestarëve ligjorë. Prandaj, u drejtohemi përsëri prindërve me një apel të qartë: Dijeni ku janë fëmijët tuaj! Mos lejoni që ata të ekspozohen ndaj dhunës dhe situatave që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre. Nëse fëmija juaj mungon në shkollë, interesohuni ku ndodhet. Asnjë fëmijë nuk duhet të gjendet mes gurëve, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës”, thotë Policia. /rtk