Mblidhet Kuvendi, në rend dite edhe çështja e Bordit të RTK-së
Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot, më 15 tetor, seancë plenare, duke filluar nga ora 10:00. Në këtë mbledhje deputetët pritet të shqyrtojnë edhe formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, në rendin e ditës janë shtatë pika, përfshirë pyetjet parlamentare dhe përzgjedhjen e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK).
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu propozimin e Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare, si dhe do të bëjnë shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Në rendin e ditës janë edhe miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme dhe deklarimet jashtë rendit të ditës.