Qelaj: Dhomat e Specializuara s’i janë nënshtruar kontrollit demokratik të institucioneve të Kosovës
Foto: Laura Hasani

Qelaj: Dhomat e Specializuara s’i janë nënshtruar kontrollit demokratik të institucioneve të Kosovës

Aktuale October 14, 2026 - 11:31

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka ngritur shqetësime për mungesën e transparencës dhe llogaridhënies së Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjatë prezantimit të raportit ex officio për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në tryezën e diskutimit të mbajtur në Prishtinë, Qelaj ka theksuar se, sipas raportit, Dhomat e Specializuara nuk i janë nënshtruar monitorimit dhe kontrollit demokratik nga institucionet e Republikës së Kosovës.

“Gjykata Speciale nuk i është nënshtruar monitorimit dhe kontrollit demokratik nga institucionet e Republikës së Kosovës, duke krijuar mungesë të transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës”, ka theksuar ai, duke cituar raportin.

Sipas tij, mungesa e një elementi vendor dhe e mbikëqyrjes nga institucionet e Kosovës ngre shqetësime edhe lidhur me respektimin e standardeve për një proces të drejtë dhe të paanshëm.

Qelaj ka kërkuar nga financuesit e Gjykatës Speciale që të shqyrtojnë të gjitha provat dhe të vlerësojnë drejtësinë e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kam kërkuar nga financuesit e kësaj gjykate t’i shqyrtojnë të gjitha provat dhe të binden se kjo gjykatë nuk është e drejtë”, është shprehur Qelaj.

Kurse, këshilltar i lartë juridik në Departamentin për Çështje Juridike të IAP-së, Burim Tahiri, ka theksuar se "raporti nuk ka për qëllim ndërhyrjen në rastet që po trajtohen pranë Dhomave të Specializuara, por ngre shqetësime lidhur me standardet e përcaktuara për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, lirinë dhe sigurinë, efikasitetin e mjeteve juridike, si dhe transparencën dhe llogaridhënien institucionale”.

Raporti i publikuar nga Avokati i Popullit trajton çështje që lidhen me kohëzgjatjen e paraburgimit, barazinë e armëve mes palëve, pranueshmërinë e provave, monitorimin e komunikimeve dhe pavarësinë e mekanizmave mbikëqyrës.

Në mesin e rekomandimeve, Avokati i Popullit kërkon që Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës të mbështesin krijimin e një mekanizmi të pavarur dhe profesional për monitorimin e procedurave gjyqësore në Dhomat e Specializuara.

Po ashtu, raporti rekomandon që shqetësimet e identifikuara t’u adresohen Këshillit të Evropës dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë.

Raporti ex officio synon të trajtojë çështjet e transparencës, llogaridhënies dhe respektimit të standardeve të procesit të drejtë në funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.