Presidentja urohet nga homologët e Finlandës, Sllovenisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë
Presidentja Justina Shiroka- Pula, ka pranuar urime me rastin e zgjedhjes në detyrë nga presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, i ka uruar Presidentes Shiroka- Pula sukses në ushtrimin e detyrës, duke shprehur gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit në mbështetje të paqes, stabilitetit, demokracisë dhe integrimit evropian.
Në telegramin e urimit, presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, ka shprehur bindjen se marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë do të vazhdojnë të forcohen.
“Ajo ka riafirmuar mbështetjen e vendit të saj për Kosovën në avancimin e parimeve demokratike, bashkëpunimit rajonal, forcimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit, si dhe ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni”, thuhet në njoftimin për media të Presidencës.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka uruar Presidenten Shiroka- Pula për zgjedhjen në këtë detyrë, duke theksuar se Shqipëria dhe Kosova do të qëndrojnë bashkë përballë sfidave dhe në rrugën drejt së ardhmes evropiane.
Ndërkaq presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, i ka përcjellë urimet e saj Presidentes Shiroka Pula, duke shprehur besimin se udhëheqja e saj do të kontribuojë në forcimin e dialogut dhe kohezionit shoqëror.
“Ajo ka vlerësuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore, të bazuara në mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, si dhe ka shprehur gatishmërinë për t’i dhënë shtysë të re bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor ndërmjet dy shteteve”, tha Presidenca në njoftimin për media.