Aleanca për Shqiptarët kërkon hetim për pretendimet për keqtrajtim të dy të rinjve nga policia maqedonase

Aleanca për Shqiptarët kërkon hetim për pretendimet për keqtrajtim të dy të rinjve nga policia maqedonase

Aktuale October 09, 2026 - 12:44

Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, ka kërkuar zbardhjen e menjëhershme dhe të plotë të rastit ku dy të rinj, të moshës 21 dhe 23 vjeç, pretendojnë se janë keqtrajtuar fizikisht nga pjesëtarë të policisë dhe se automjeti i tyre është dëmtuar.

Në reagimin e saj, ASH vlerëson se nisja e kontrollit të brendshëm nga Ministria e Punëve të Brendshme tregon se pretendimet kërkojnë hetim të shpejtë dhe transparent.

“Policia duhet të jetë garanci për sigurinë e çdo qytetari dhe jo burim frike. Çdo tejkalim i kompetencave, përdorim i paarsyeshëm i forcës apo keqtrajtim duhet të marrë përgjigjen e duhur institucionale dhe ligjore”, thuhet në reagim.

Aleanca për Shqiptarët ka kritikuar edhe VLEN-in dhe zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, për atë që e cilëson si heshtje ndaj rastit.

“Kur je pjesë e udhëheqjes së MPB-së, përgjegjësia nuk përfundon te deklaratat politike. Kërkohet veprim, transparencë dhe përgjegjësi”, thuhet më tej në reagim.

ASH kërkon që hetimi të përfundojë pa vonesa dhe rezultatet të bëhen publike. Ajo insiston se, nëse vërtetohen pretendimet për keqpërdorim të detyrës apo dhunë ndaj të rinjve, përgjegjësit duhet të sanksionohen pa përjashtim.

“Askush me uniformë nuk mund të jetë mbi ligjin dhe askush në pushtet nuk mund të fshihet pas heshtjes”, përfundon reagimi i Aleancës për Shqiptarët./Zëri