Ngujimi i 63 minatorëve, “Trepça”: Ndodhi avari në trafo, s’kishte pjesë rezervë për sanim
Foto: Laura Hasani

Ngujimi i 63 minatorëve, “Trepça”: Ndodhi avari në trafo, s’kishte pjesë rezervë për sanim

Aktuale October 08, 2026 - 10:48

Ndërmarrja “Trepça” ka dalë me njoftim lidhur me incidentin e mbrëmshëm në Minierën me Flotacion në Stan Tërg, ku 63 minatorë u ndodhën në minierë pas një avarie në sistemin elektrik.

Sipas njoftimit të Trepçës, avaria ka ndodhur, rreth orës 19:30, në Trafon Tuneli, përkatësisht në sistemin 35 kV, si pasojë e së cilës është ndërprerë furnizimi me energji elektrike për minierën dhe Njësinë e Flotacionit.

Në momentin e avarisë, në minierë ndodheshin 63 minatorë, të cilët ishin në ndërrimin e dytë dhe planifikonin ta përfundonin punën në orën 23:00.

“Trepça” njofton se 54 minatorë kanë dalë në sipërfaqe përmes shkallëve emergjente, ndërsa nëntë të tjerë kanë qëndruar në minierë deri në rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

"Furnizimi me energji elektrike për minierën me flotacion ‘Trepça’ në Stan Tërg është rikthyer në orën 02:30, ndërsa 9 minatorët e mbetur kanë dalë në sipërfaqe në orën 02:50. Pas rikthimit të energjisë elektrike, ndërrimi i parë ka filluar punën normalisht në minierë", thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Njësia e Flotacionit ka mbetur jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga avaria në trafon 35 kV.

“Procesi i sanimit është vështirësuar nga mungesa e pjesëve rezervë në magazinë, pasi këto pjesë nuk disponohen aktualisht në stok. Pas përfundimit të riparimeve dhe kryerjes së të gjitha verifikimeve teknike dhe të sigurisë, do të bëhet rikthimi i plotë i furnizimit me energji elektrike dhe vënia në funksion e Njësisë së Flotacionit. Ne mbesim të angazhuar me të gjitha mundësitë tona dhe pa kursyer asgjë nga ajo që dimë e mundemi, për ta kthyer situatën në normalitet. Për zhvillimet e mëtejshme dhe përfundimin e sanimit të avarisë do të njoftoheni me kohë”, thotë ndërmarrja.