Abdixhiku: Të jesh LDK do të thotë ta mbash kokën lart, na keni ngatërruar me mercenarët
Foto: Facebook

Abdixhiku: Të jesh LDK do të thotë ta mbash kokën lart, na keni ngatërruar me mercenarët

Aktuale October 06, 2026 - 12:37

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia që ai drejton e ka të qartë orientimin e saj politik, duke e lidhur atë me vizionin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, si dhe me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një reagim, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja e sheh Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si pjesë të historisë së saj dhe ka kundërshtuar, siç u shpreh, përvetësimin e kësaj historie nga të tjerët.

“Të jesh LDK do të thotë ta mbash kokën lart dhe ta dish rrugën tënde. Rrugën e Ibrahim Rugovës. Të Kosovës së lirë, të pavarur e në miqësi të përhershme me Amerikën”, shkroi Abdixhiku.

“UÇK-ja është edhe gjaku ynë. Me Amerikën e NATO-n na lidh vetë liria. Asnjë tregtari patriotizmi nuk ia lejojmë ta përvetësojë historinë që e bëmë bashkë”, shtoi ai.

Abdixhiku ka thënë se LDK-ja nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj për shkak të, siç i quajti, etiketimit ose kërcënimeve.

“Kemi rrënjë të forta. Etiketimet nuk na e ndryshojnë bindjen. Kërcënimet nuk na e përcaktojnë qëndrimin. Na keni ngatërruar me mercenarët”, deklaroi ai.

Kreu i LDK-së ka theksuar se përgjegjësinë e saj e sheh ndaj Kosovës dhe qytetarëve, ndërsa ka thënë se partia forcohet përballë shantazhit.

“LDK-ja e di kujt i jep llogari; Kosovës dhe njerëzve të saj. Atyre që janë dhe të tjerëve që s’janë që të jemi ne. Përballë tyre kemi përgjegjësi. Përballë shantazhit veç forcohemi”, shkroi Abdixhiku.

Ai ka pretenduar se po të ishte ndjekur vizioni i LDK-së, Kosova sot do të kishte president dhe, sipas tij, stabilitet balancues, si dhe angazhim institucional për mbrojtjen ndërkombëtare të së vërtetës së luftës në Kosovë.

“Po të ishte dëgjuar vizioni ynë, sot do të kishim President dhe stabilitet balancues. Kosova do të kishte angazhim institucional për mbrojtjen e së vërtetës së luftës sonë në botë”, tha ai.

Sipas Abdixhikut, ky vizion “u luftua me çdo mjet”, ndërsa gjendjen aktuale institucionale e ka përshkruar si mungesë institucionesh, mundësie për mbrojtje dhe kohezioni politik.

“Ja ku mbetëm sot. Pa institucione, pa mundësi mbrojtjeje, pa kohezion minimal në vend. Çështja është, kujt i shërbyen, në të vërtetë?”, përfundoi Abdixhiku.