Ende s’është e qartë nëse sot do të ketë votim në lexim të dytë
Foto: Laura Hasani

Ende s’është e qartë nëse sot do të ketë votim në lexim të dytë

Aktuale October 05, 2026 - 16:01

Derisa deputetët po vazhdojnë të diskutojnë e kalojnë projektligje të ndryshme në agjendën ditore, nuk është ende e qartë nëse ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara do të hidhen në votim edhe në lexim të dytë.

Më herët, PDK-ja, si nismëtare e ndryshimeve, kërkoi që votimi të zhvillohet në orën 17:30, por kjo u kundërshtua nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se, së pari, palët duhet të arrijnë pajtueshmëri për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

“Si ka mundësi që, pa kaluar pak kohë, dilni dhe e ndryshoni qëndrimin? Nuk ju kuptoj. Është e rëndësishme t’i japim vendit president. Sot ju ftoj të takoheni, të merreni vesh. Nuk ka më të rëndësishme se presidenti”, tha Haxhiu duke iu përgjigjur shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri.

Vetë PDK-ja ka shprehur gatishmëri për ta ndihmuar në zgjedhjen e presidentit të ri, në këmbim të miratimit të ndryshimeve në ligjin për Specialen.

Kryetari i saj, Bedri Hamza, u takua disa herë javët e fundit me kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar për këto dy çështje.

Kurti paralajmëroi sot më herët nga foltorja e Kuvendit se do ta takonte Hamzën më vonë gjatë ditës.

Nuk dihet nëse deri tani ka ndodhur ndonjë takim mes tyre që nga miratimi i ndryshimeve në parim. /Rel