Kusari-Lila nga Berlini: Duam të forcojmë investimet gjermane në Kosovë
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar në Berlin potencialin e Kosovës për investime dhe ka diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë, përfshirë incentivat për kompanitë gjermane që synojnë të investojnë në Kosovë.
Kusari-Lila tha se 1 tetori shënon hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me shtetet e EFTA-s.
“Për Kosovën, 1 tetori i këtij viti shënon një fillim të ri: hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me shtetet e EFTA-s, e cila hap tregje të reja për mallrat dhe shërbimet tona”, tha ajo.
Ajo bëri të ditur se në Berlin ka marrë pjesë në raundin e parë të “Diplomatic Circle”, me ftesë të Prof. Atil Ural nga Business Factors.
“Në këtë mbrëmje ishim së bashku me Ministren Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, znj. Reem Alabali-Radovan, Ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë e të biznesit. Para të pranishmëve prezantova potencialin e Kosovës, mundësitë për investime dhe rrugët për ta thelluar bashkëpunimin ekonomik me Gjermaninë dhe Evropën”, tha Kusari-Lila.
Ajo tha se me ministren federale ka diskutuar për fusha të reja të bashkëpunimit ekonomik.
“Me Ministren Federale biseduam për transformimin e bashkëpunimit të deritashëm në fusha të reja të bashkëpunimit ekonomik, si dhe për incentiva për kompanitë gjermane që duan të investojnë në vendet e Evropës Juglindore dhe në Kosovë në veçanti”, tha ajo.
Kusari-Lila përmendi edhe pjesëmarrjen e bizneseve në ITB Berlin, Light + Building në Frankfurt, ProWein në Düsseldorf dhe Hannover Messe.
“Angazhimi për rritjen e partneritetit me Gjermaninë dhe kompanitë gjermane po vazhdon. Më 28–29 tetor, nën organizimin e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe me mbështetjen e Qeverisë, në Prishtinë do të mbajmë konferencën për transformimin digjital dhe inteligjencën artificiale, energjinë dhe infrastrukturën e qëndrueshme dhe prodhimin e avancuar”, tha Kusari-Lila.
“Gjermania është një partner i rëndësishëm ekonomik për Kosovën. Por ambicia jonë është më e madhe se rritja e tregtisë: duam më shumë prodhim në Kosovë, më shumë eksporte, më shumë investime gjermane dhe më shumë kompani kosovare pjesë të tregjeve dhe zinxhirëve evropianë”, tha ajo.