Haxhiu: Gratë duhet të kenë mundësi të barabarta për avancim në institucionet e sigurisë
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se duhet të ndryshojë mënyra se si trajtohet roli i grave në sektorin e sigurisë.
Në konferencën ndërkombëtare “Partneritet për Ndryshim: Gratë që Transformojnë Sistemet – Avancimi i Parimeve të Prishtinës ”, Haxhiu tha se gratë tashmë janë pjesë e Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Shërbimit Korrektues dhe institucioneve të tjera të sigurisë.
“Kur flasim për gratë në sektorin e sigurisë, besoj se duhet të ndryshojmë pak mënyrën se si e shohim këtë çështje.
Nuk duhet të dëgjojmë më se gratë janë të hapura për t’u shërbyer apo për të udhëhequr. Përgjigjën e kemi prej ditësh, sepse gratë janë pjesë e policisë, janë pjesë ushtrisë, janë pjesë e shërbimit korrektues dhe institucioneve të tjera të sigurisë. Ato janë në detyrë, përballen me vështirësitë e mbajnë mbi supe përgjegjësi shumë të madhe. Pyetja që ngrihet është se a po u krijojmë atyre mundësi të barabarta për të avancuar dhe për të marrë përgjegjësi edhe më të mëdha” shtoi Haxhiu.
Duke iu referuar Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Haxhiu tha se roli i grave në parandalimin e konflikteve, ndërtimin e paqes dhe sigurisë duhet të përkthehet në veprime konkrete.
“Rezoluta 1325 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar në vitin 2000, e njeh rolin e grave në parandalimin e konflikteve, në ndërtimin e paqes dhe të sigurisë. Më shumë se një çerek shekulli më pas, përpjekja jonë është që ky parim të mos mbetet vetëm në dokumente, por të përkthehet në prioritete, por po ashtu edhe në vendimarrjen tone . Për Kosovën, kjo ka edhe një dimension të veçantë. Gratë kanë qenë pjesë e qëndresës e luftës, por po ashtu edhe e ndërtimit të shtetit. Në periudhat më të vështira, ato kanë marrë rreziqe dhe kanë kontribuar në mënyra që shpesh nuk janë besuar sa duhet. Ky kontribut duhet të njihet, të vlerësohet dhe të respektohet. Barazia nuk duhet të jetë shpërblim për sakrificën, gratë nuk duhet të kenë nevojë të dëshmojnë se e meritojnë barazinë, ajo është një e drejtë që u takon njësoj” u shpreh ajo.
Haxhiu, ka bërë të ditur se gratë përbëjnë rreth 14 për qind të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Korrektues, ndërsa në Forcën e Sigurisë së Kosovës rreth 10 për qind.
Haxhiu tha se këto shifra nuk tregojnë të gjithë pamjen, pasi duhet të shihet edhe pozita që gratë kanë brenda këtyre institucioneve.
“Sot, gratë përbëjnë rreth 14% të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe të Shërbimit Korrektues, ndërsa në Forcën e Sigurisë së Kosovës rreth 10%. Këto shifra tregojnë një rritje të rëndësishme,por nuk na tregojnë të gjithë pamjen.
Duhet të shohim edhe se ku janë gratë brenda këtyre institucioneve. Sa prej tyre janë në pozita udhëheqëse, sa kanë arritur në gradat më të larta, a kanë mundësi të njëjta për specializim, për avancim dhe për të qenë pjesë e vendimmarrjes. Këto janë pyetjet që duhet të na udhëheqin në punën tonë të ardhshme, sepse nuk mjafton vetëm të kemi më shumë gra në institucione, duhet të sigurohemi që ato të kenë edhe mundësi për të ecur përpara, pa asnjë pengesë, pa asnjë diskriminim. Të nderuar të pranishëm, siguria e grave nuk lidhet vetëm me institucionet e sigurisë, ajo fillon edhe në familje, edhe në komunitet. Një grua që kërkon ndihmë kundër dhunës, duhet të ketë besim se institucionet do ta mbrojnë dhe do ta trajtojnë me dinjitet. Po ashtu, duhet të trajtohen edhe ngacmimet, përndekja në internet, të cilat shpesh synojnë t’i frikësojnë gratë dhe t’i largojnë ato nga jeta publike” shtoi Haxhiu. /eo