Der Leyen për aktgjykimin e Speciales: Askush s’mund ta rishkruajë historinë e Kosovës
Foto: Laura Hasani

Der Leyen për aktgjykimin e Speciales: Askush s’mund ta rishkruajë historinë e Kosovës

Aktuale October 01, 2026 - 14:46

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Kosova po kalon nëpër një moment të rëndësishëm politik, duke bërë thirrje për respektimin e institucioneve dhe forcimin e stabilitetit institucional.

Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, Von der Leyen foli edhe për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se vendimi ka shkaktuar emocione të fuqishme në Kosovë.

“Askush nuk mund të rishkruajë historinë e Kosovës. 1999-a është e skalitur në memorien tuaj kolektive - represioni i dhunshëm, kriza humanitare, vuajtja që e ka përjetuar populli juaj. BE-ja ka qëndruar gjithmonë me ju”, u shpreh Von der Leyen.

“E çmoj angazhimin tuaj të matur. Aktgjykimi është dhënë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet”, deklaroi Von der Leyen.

Ajo theksoi se rezistenca e Kosovës nuk ka qenë pjesë e procesit gjyqësor.

“Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim”, tha presidentja e Komisionit Evropian.

Von der Leyen vuri theks të veçantë te funksionalizimi i institucioneve të Kosovës, veçanërisht Kuvendit dhe Qeverisë.

Ajo tha se sheh mundësi që partitë politike të zhvillojnë dialog për tejkalimin e situatës politike në vend, duke e cilësuar dialogun ndërmjet subjekteve politike si të rëndësishëm për stabilitetin institucional.

Presidentja e Komisionit Evropian përsëriti mbështetjen e Bashkimit Evropian për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e reformave, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të institucioneve demokratike.