Gjykata Speciale: Nuk jemi konsultuar për nismën e ndryshimit të Ligjit

Gjykata Speciale: Nuk jemi konsultuar për nismën e ndryshimit të Ligjit

Aktuale October 01, 2026 - 11:09

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nuk janë konsultuar në lidhje me përpjekjet në Kosovë për ta ndryshuar Ligjin që themeloi këtë institucion.

Nisma për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndryshe e njohur si Gjykata Speciale, është duke u shqyrtuar nga Zyra Ligjore e kryeministrit Albin Kurti.

Kjo gjykatë, e cila më 16 shtator dënoi katër ish-krerë të UÇK-së për krime lufte, mbështetet nga Bashkimi Evropian.

Ky dënim shkaktoi kundërshtime politike dhe protesta qytetare në Kosovë.

Ndryshimi i ligjit është iniciativë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), subjektit më të madh opozitar.

Për të kaluar në Kuvend ajo duhet ta marrë pëlqimin e Qeverisë dhe t’i kalojë komisionet parlamentare.

“Nuk jemi konsultuar”, u tha shkurt në një përgjigje të Gjykatës Speciale për REL-in, ku u shtua se ata “nuk komentojnë mbi iniciativat politike”.

Në dokumentin e ndryshimeve të propozuara, kërkohet ndër të tjera, që dënimet më të larta që mund të shqiptohen të jenë 15 vjet burgim dhe që të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Ekspertë ligjorë që folën më herët me Radion Evropa e Lirë, e kanë quajtur këtë iniciativë vështirë të arritshme dhe kanë ngrerë pikëpyetje për ndikimin real që mund të ketë ndryshimi.