Ymeri: Draft-deklaratat për Hagën pritet të votohen nesër, protestuesit ende nuk janë ftuar për diskutim
Foto: Laura Hasani

Ymeri: Draft-deklaratat për Hagën pritet të votohen nesër, protestuesit ende nuk janë ftuar për diskutim

Aktuale September 27, 2026 - 15:44

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri , ka bërë të ditur se nesër në Kuvend pritet të vijnë për votim deklarata për çështjen e Hagës,

Përmes një postimi në Facebook, Ymeri ka thënë se bëhet fjalë për dy draft-deklarata, një nga PDK-ja dhe një nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ajo ka theksuar se këto draft-deklarata po përgatiten paralelisht me protestat në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa sipas saj, disa nga kërkesat e protestuesve nuk janë të reflektuara në deklaratat që mund të vijnë për votim.

“Çështja është se nuk është hapur asnjë bisedë apo debat me protestuesit për të parë se çfarë mund të bëjë Kuvendi para se të vijnë në rend dite për votim dy qëndrime, ndonëse nga përfaqësues të popullit në Kuvend”, ka shkruar Ymeri.

Ymeri ka bërë të ditur se njërën nga draft-deklaratat e ka publikuar në koment të postimit të saj.

Ndërkohë, deputetja e LDK-së ka shprehur gatishmërinë për t’u takuar me përfaqësues të protestës para fillimit të seancës së Kuvendit.

“Njëkohësisht mirëpres edhe mundësi për takim nga përfaqësues të protestës nesër nga ora 8:00 deri 10:00 në Kuvend, para se të nis edhe seanca në ora 11”, ka shkruar ajo.